Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një shpërblim të menjëhershëm prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të Policisë së Shtetit të angazhuar në përballjen me protestat e dhunshme.
Gjatë fjalës së tij para efektivëve, Rama vlerësoi rezistencën, sakrificën dhe kurajën e punonjësve të policisë, duke theksuar se ata po përballen jo vetëm me protestuesit, por edhe me kritikat ndaj Policisë së Shtetit.
“Por, nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin ju po u dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane fajësojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane kërkojnë që Policia e Shtetit të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front.” deklaroi kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se, duke nisur nga 1 janari, pagat e efektivëve të policisë do të rriten në mënyrë të konsiderueshme, në kuadër të buxhetit të ri.
“Por, në vite, e vërteta është që nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj dhe për këtë arsye po bisedonim përpara disa javësh. Kështu që, me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme.”, tha Rama.
Rama pranoi se pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë rritur në nivelin e duhur ndër vite, ndërsa theksoi rëndësinë e policisë si një nga themelet e shtetit. Kryeministri nënvizoi se shpërblimi i menjëhershëm synon të vlerësojë angazhimin dhe sakrificën e efektivëve të përfshirë në përballjen me protestat, ndërsa rritja e pagave pritet të jetë pjesë e masave të parashikuara në buxhetin e ri.








