Disa fluturime nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës janë anuluar gjatë ditës së sotme, për shkak të problemeve teknike në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Itali.
Sipas njoftimit të aeroportit, anulimet kanë prekur linjat ajrore drejt dhe nga Milano (Malpensa), Torino, Verona, Pisa, Rimini dhe Gjenova, si pasojë e kufizimeve të vendosura në hapësirën ajrore italiane.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës bën të ditur se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse, me qëllim ndjekjen e situatës dhe minimizimin e ndikimit te pasagjerët.
Ndërkohë, të gjithë pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt ose nga Italia këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimeve të tyre.









