Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka inspektuar një prej filialeve të Postës Shqiptare në Tiranë, i cili është dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit. Ajo ka garantuar se, pavarësisht dëmeve të shkaktuara ndaj pronës publike dhe private, shërbimet për qytetarët do të vijojnë.
Gjatë deklaratës së saj nga terreni, Ibrahimaj bëri të ditur se janë disa filiale të Postës Shqiptare që kanë pësuar dëmtime, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të tyre për qytetarët, veçanërisht për pensionistët që tërheqin çdo muaj të ardhurat e tyre për jetesën.
Ministrja siguroi se qytetarët do të mund të marrin shërbimet e nevojshme edhe në kushtet e krijuara, ndërsa pensionistët që nuk mund të shërbehen në filialet e dëmtuara mund t’u drejtohen degëve të tjera të Postës Shqiptare për të tërhequr pensionin.
Reagimi i plotë:
“Jam këtu në një nga rrugët kryesore të qytetit të Tiranës dhe mbrapa kemi filialin e Postës Shqiptare, i cili është dëmtuar.
Janë disa filiale të dëmtuara këtu. Në këto filiale, qytetarët marrin përditë shërbime: pensionistët marrin pensionet e tyre dhe të ardhurat që i duhen për të siguruar jetesën. Unë dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që, pavarësisht goditjeve ndaj pronës publike dhe private, ne jemi të angazhuar që ato të marrin shërbimet e tyre të përditshme. Pensionistët, ndonëse mbrapa në kohën që po kalojmë, mund të drejtohen në të gjithë filialet e tjera dhe të marrin pensionin e tyre, sepse ne jemi këtu për të garantuar që rendi dhe siguria dhe shërbimi ndaj qytetarëve do të vijojë i pandërprerë, pavarësisht atyre që ndodhin në këtë qytet.”








