Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka bërë të ditur se disa degë bankare dhe ATM janë dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit në vend. Për shkak të situatës së krijuar dhe për të garantuar sigurinë e klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë operuar përkohësisht me numër të reduktuar degësh ose me orar të kufizuar.
Në një njoftim publik, AAB thekson se në disa raste nuk ka qenë e mundur të ofrohen shërbimet bankare me kapacitetin dhe standardin e zakonshëm, duke kërkuar mirëkuptimin e klientëve për vonesat dhe vështirësitë e krijuara.
Shoqata u bën thirrje qytetarëve që, përpara se të paraqiten në degët bankare, të konsultojnë njoftimet zyrtare të bankave për oraret dhe shërbimet e disponueshme. Gjithashtu, klientët inkurajohen të përdorin kanalet digjitale për kryerjen e pagesave, transfertave dhe transaksioneve të tjera që mund të realizohen në distancë.
AAB sqaron se dëmet e evidentuara janë materiale dhe se sulmet ndaj ambienteve fizike apo pajisjeve bankare nuk cenojnë, në vetvete, depozitat e klientëve apo funksionimin e sektorit bankar. Sipas shoqatës, bankat vijojnë të zbatojnë masat e nevojshme për sigurinë, vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e interesave të klientëve.
Në reagimin e saj, Shoqata Shqiptare e Bankave nënvizon rëndësinë e sistemit bankar si infrastrukturë thelbësore për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare, duke theksuar rolin e tij në kreditimin e familjeve dhe sipërmarrjeve, lehtësimin e pagesave, punësimin dhe kontributin në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Në përfundim, AAB u bën thirrje qytetarëve që të mbrojnë sistemin bankar dhe financiar si një e mirë e përbashkët dhe të mos sulmojnë degët e bankave apo objektet e tjera financiare.
Bankat mbeten të angazhuara për rikthimin sa më të shpejtë të shërbimeve normale, në varësi të kushteve të sigurisë, me prioritet mbrojtjen e klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare.








