Shqipëria pritet të shënojë një tjetër hap në procesin e integrimit europian. Të martën, në Luksemburg, do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, ku pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale.
Drita jeshile për këtë hap është dhënë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së në COREPER. Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria do të ketë përmbyllur përkohësisht katër nga 33 kapitujt e negociatave, brenda një periudhe prej rreth tre muajsh. Më herët, vendi ka mbyllur përkohësisht negociatat për kapitujt që lidhen me Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Kapitulli 20 përqendrohet te politikat e zhvillimit të sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve, digjitalizimi dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë. Përafrimi me standardet dhe politikat europiane në këto fusha synon krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve dhe forcimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë shqiptare. Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, njoftoi se në ditët në vijim janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
“Pas vendimit të djeshëm të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin detyrimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”, deklaroi Kos.
Megjithatë, sipas komisioneres, përveç përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, rëndësi të veçantë do të ketë edhe siguria dhe përafrimi strategjik me politikat e Bashkimit Europian.
“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të pranojmë shtete të reja anëtare që nuk do të kontribuojnë në forcimin e sigurisë sonë. Vetëm ato vende kandidate që janë të përafruara strategjikisht me ne do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, theksoi ajo.
Sipas axhendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Europian, delegacionet pritet të mbërrijnë në orën 17:30, sipas orës shqiptare. Fotografia zyrtare është planifikuar për në orën 17:50, ndërsa tryeza e diskutimeve do të nisë në orën 18:00. Konferenca është parashikuar të zhvillohet në orën 18:15. Mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 do të përbëjë një tjetër etapë në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian, në një proces që përfshin gjithsej 33 kapituj dhe kërkon përmbushjen e kritereve dhe standardeve europiane në fusha të ndryshme.








