Një seancë mjaft e ngjeshur parashikohet kjo e kësaj të enjteje në Parlament, që përkon edhe me seancën e fundit për këtë sesion. Të gjithë projektligjet e mbetura pezull do të diskutohen dhe do të votohen gjatë ditës, pavarësisht se disa prej deputetëve të opozitës nuk janë të pranishëm në sallë.
Mes projektligjeve që do të hidhen në votim janë edhe nisma të rëndësishme që kanë “mbetur në sirtar” prej gati dy vitesh, siç është rregullorja e Kuvendit që nuk është miratuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes shumicës socialiste dhe partive opozitare që tashmë kanë dalë nga Parlamenti.
Gjithashtu do të votohen modifikimet e dy ligjeve të Reformës në Drejtësi, të kthyera nga Gjykata Kushtetuese, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe ai “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Në votim do të hidhet edhe nisma e deputetit Ervin Bushati, i cili propozoi një amendament në kodin penal, për të bërë të mundur ndalimin e daljes jashtë vendit të personave që dënoheshin nga gjykata me vendim të formës së prerë për krime zgjedhore. Nisma nuk mori miratimin në komision nga anëtarët e opozitës, të cilët kërkuan kohë dhe diskutime të mëtejshme lidhur me të. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse ajo do të marrë votat e nevojshme gjatë seancës së sotme.
Për shkak të agjendës së ngjeshur, seanca pritet të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes.