Punimet për autostradën Kashar–Rrogozhinë pritet të nisin brenda këtij viti. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e zbatimit, ndërsa hapi i radhës do të jetë nisja e procesit të shpronësimeve për t’i hapur rrugë ndërtimit të aksit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, sipas të cilit tashmë janë përmbyllur edhe diskutimet që lidheshin me mënyrën e ndërthurjes së këtij aksi me Bypass-in e Tiranës.
“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, – deklaroi Karakaçi.
Sipas ministrit, aksi do të ketë një gjatësi prej rreth 33.5 km.
“Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33.5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, – tha Karakacci.
Ky aks do ndwrtohet pwrmes njw kontrate koncesionare, për të cilin fitues është shpallur bashkimi i 7 kompanive “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”. Vlera e parashikuar e investimit është rreth 474.9 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Segmenti Kashar–Lekaj (Rrogozhinë) parashikohet në një gjurmë të re. Nga rreth 33.6 km të aksit, 26.6 kilometra janë objekt i kontratës koncesionare, ndërsa 7 km e tjerë janë pjesë e Bypass-it të Tiranës dhe financohen nga buxheti i shtetit.
Kashar–Lekaj është një prej segmenteve të autostradës Milot–Fier, me gjatësi totale rreth 114 km. Aktualisht, Thumanë–Kashar është përfunduar dhe është hapur për qarkullim, ndërsa segmentet e tjera ndodhen në faza të ndryshme të procedurave dhe punimeve.








