Ndërsa është mirë me të ardhurat, qeveria nuk po arrin dot të realizojë shpenzimet. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave tregojnë se në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2026 u realizuan në masën 48.8% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.8% të planit vjetor sipas Aktit Normativ Nr. 2, datë 30.06.2026.
Shpenzimet kapitale, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në 49.1 miliardë lekë, një realizim në masën 96.3% të planit të periudhës.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.1% më i lartë ose rreth 4.5 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente, për periudhën 7-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 384.1 miliardë lekë, ose me realizim në masën 98.5 % të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 26.8 miliardë lekë më shumë.
Ecuria e të ardhurave
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat totale për 7-mujorin e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 51.1 miliardë lekë ose 11.8 % më shumë, një realizim në masën 58.9 % të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave sipas buxhetit fillestar dhe 57.5% sipas Aktit Normativ nr.2.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 307.9 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 165.9 miliardë lekë, 15.7 miliardë lekë ose 10.4% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025. Krahasuar me planin e shtatërmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 1.2 miliardë lekë ose 0.7% më shumë.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, 9.8 miliardë lekë ose 25.1% më shumë se shtatëmujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 1.2 miliardë lekë ose 102.6% të planit për shtatëmujorin e vitit 2026. Rimbursimet e dhëna për periudhën Janar-Korrik 2026 janë në shumën 8.8 miliardë lekë.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 34.6 miliardë lekë, me realizim në masën 98.3% të planit për shtatëmujorin 2026.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 56.6 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 17.3% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe 471 milionë lekë ose 0.8% më shumë se plani për shtatëmujorin 2026.
Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 25.6 miliardë lekë, një realizim në masën 100.2% të planit për shtatëmujorin 2026.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në shumën 117.6 miliardë lekë, 13.9 miliardë lekë ose 13.4% më shumë se shtatëmujori 2025, si dhe me realizim prej 100.3% të planit për shtatëmujorin 2026.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar-Korrik 2026, u realizuan në vlerën 142 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 3.8% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, me realizim 99% të planit për periudhën shtatëmujore 2026 për të ardhurat doganore.
Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë 94.4 miliardë lekë, 3.3 miliardë lekë ose 3.6% më shumë se 7-mujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 98.7% të planit për periudhën shtatëmujore 2026.
Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë realizuar në shumën 40.5 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 3.9% më shumë se shtatëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në masën 99.5% të planit për shtatëmujorin 2026.
Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në shumën 1.1 miliardë lekë, një realizim në masën 104.9 % kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.
Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Korrik 2026, janë në vlerën 6 miliardë lekë, 483 milionë lekë ose 8.8% më shumë se periudha 7-mujore e viti 2025, si dhe realizim prej 98.8% kundrejt planit të shtatëmujorit 2026.








