Nga videot në TikTok deri te reklamat që na ndjekin në çdo platformë, tundimi për të blerë diçka të re është bërë pjesë e përditshmërisë. Por sipas ekspertëve, konsumimi i tepërt nuk dëmton vetëm portofolin, por mund të ndikojë edhe në mirëqenien emocionale, marrëdhëniet sociale dhe mjedisin.
Sipas psikologëve të intervistuar nga The Guardian, shumë njerëz nuk blejnë sepse kanë nevojë për një produkt, por sepse kërkojnë një ndjesi të përkohshme kënaqësie, një mënyrë për të larguar stresin, mërzinë apo ankthin. Problemi është se kjo ndjesi zgjat pak, duke krijuar një cikël ku dëshira për të blerë rikthehet vazhdimisht.
Ekspertët sugjerojnë që hapi i parë është të ndalemi për disa minuta përpara çdo blerjeje dhe të pyesim veten: “A kam vërtet nevojë për këtë?” Shpesh, vetëm shtyrja e vendimit për 24 orë mjafton që dëshira për të blerë të zbehet.
Një tjetër këshillë është të mos përpiqemi të ndryshojmë gjithçka menjëherë. Në vend të sfidave ekstreme si “mos blej asgjë për një vit”, ekspertët rekomandojnë ndryshime të vogla, si kufizimi i blerjeve impulsive, vendosja e një buxheti mujor ose blerja vetëm e produkteve që zëvendësojnë diçka që tashmë është konsumuar.
Interesant është edhe fakti se pastrimi i shtëpisë nuk duhet të shndërrohet në një arsye për të blerë produkte të reja organizimi. Shpesh njerëzit heqin dorë nga sendet e panevojshme, por më pas shpenzojnë para për kuti, rafte apo aksesorë të tjerë, duke hyrë sërish në të njëjtin cikël konsumimi.
Psikologët theksojnë gjithashtu se mënyra më e mirë për të blerë më pak është të zëvendësojmë kohën e shpenzuar në qendra tregtare ose në aplikacione online me aktivitete që krijojnë kënaqësi afatgjatë. Hobet, aktivitetet sportive, koha me familjen dhe miqtë apo angazhimi në komunitet ndihmojnë në uljen e varësisë emocionale nga blerjet. Sipas tyre, konsumimi i tepërt shpesh i izolon njerëzit, ndërsa marrëdhëniet sociale dhe përvojat e përbashkëta ofrojnë një ndjenjë më të qëndrueshme kënaqësie.
Në fund, ekspertët theksojnë se qëllimi nuk është të heqim dorë nga çdo blerje, por të konsumojmë në mënyrë më të ndërgjegjshme. Të blesh më pak nuk do të thotë të privosh veten, por të shpenzosh për gjërat që kanë vërtet vlerë dhe ndikim afatgjatë në jetën tënde./ THE GUARDIAN







