Nga Irena Beqiraj, eksperte për ekonominë
Sa herë dëgjoj qeveritarë, deputetë, analistë që flasin për rritjen e qëndrueshme ekonomike mendoj se sa e rëndësishme është të kuptojmë numrat, edhe të frenojmë tendencën e rrezikshme për të ngatërruar një numër të vetëm me një situatë të tërë.
Po e filloj me një përkufizim të mërzitshëm dhe aspak tërheqës. PBB-ja është vlera totale e tregut e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara brenda një vendi gjatë një periudhe të caktuar. Për shembull, nëse ju paguani 80,000 mijë lekë të fortë për një koronare tek spitali Amerikan, PBB-ja e Shqipërisë është rritur. Nëse Ismaili (avioni privat) i Kryeministrin ngrihet të fluturim PBB-ja e Shqipërisë rritet. Nëse një miliarder shpenzon gjashtë milionë euro për të blerë një vilë, ai ka rritur PBB -në në mënyrë mbresëlënëse.
PBB-ja mat prodhimin e brendëshëm bruto por fatkeqësisht nuk mat nëse prodhimi ishte i dobishëm, i shpërndarë në mënyrë të barabartë apo brenda mundësive të gjithësecilit .
Ndaj kohët e fundit hendeku midis asaj që thotë PBB-ja dhe asaj që thotë fatura e ushqimeve është thelluar.
PBB-ja totale e vendit nuk tregon se si jetojnë njerëzit. Ndaj shprehja “Shqiptarët janë bërë më të pasur” më rri si çekan në kokë sa herë që mendoj për babanë me dy fëmijë i cili nuk mund të blejë më djath, por blen thërrimet e e tij.
PBB-ja totale mund të rritet, por mirëqenia ekonomike nuk mund të matet në mënyrë adekuate nëse nuk dihet shpërndarja personale e të ardhurave, sepse është shumë e rëndësishme të dihet se kush i merr ato të ardhura. Në një vend në të cilin disa oligarkë zotërojnë pothuajse gjithçka mund të kemi një PBB – mbresëlënëse, por kjo lë mijëra prindër në pamundësi për të siguruar copën e djathit për fëmijët e tyre.
PBB -ja është një numër i rëndësishëm për të krahasuar madhësinë e ekonomive, për të ndjekur reçesionet dhe rimëkëmbjet, për të vlerësuar kapacitetin prodhues dhe për të parë se si ndryshon struktura e ekonomisë por ajo kursesi nuk tregon nëse vendi është ai ku do të dëshironim që fëmijët tanë të jetonin.
PBB-ja nuk mat drejtpërdrejt shëndetin, pabarazinë, kohën e lirë, sigurinë personale, lirinë politike, apo sasinë e parave që mbeten në llogarinë tona rrjedhëse pasi një fatkeqësie .
Ajo nuk tregon nëse ajri që thithim është i pastër, nëse uji është i pijshëm, nëse shkollat publike funksionojnë, apo nëse ilaçet që nevojiten për t’u kuruar, kërkojnë një punë të dytë.
Po, PBB-ja është rritur, madje e shprehur edhe në euron e zhvlerësuar nën fuqinë e kryengritjes sureliane të lekut, rritja e saj është edhe më mbresëlënëse.
Por pabarazia në shpërndarjen e saj ka paaftësuar 40% shqiptarëve për të marrë pjesë në jetën normale. PBB- ja është rritur, por jo aftësia për të siguruar strehim, ushqim, transport, kujdes mjekësor, arsim dhe një sasi modeste kënaqësie.
Ndaj me metodologjinë e re të” Besës” le të diskutojmë jo sa u rrit PBB-ja, por si u nda ajo!
Fatkeqësisht nuk e bëni dot!








