Ulet lehtë papunësia në vend. Instituti i Statistikave konstaton se në tremujorin e parë të këtij viti, shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart është 8,4%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, papunësia është ulur me 0,3 pikë përqindje. Ndërsa kundrejt tremujorit të mëparshëm, ky tregues është rritur me 0.1 pikë përqindje.

Shifrat e INSTAT mbi papunëinë nuk tregojnë situatën reale me këtë tregues. Kjo duke pasur parasysh tre elementë: Së pari, emigrimin e vazhdueshëm që ka pakësuar popullsinë në vend dhe që rrjedhimisht, numri i të papunëve del më i ulët. Së dyti, INSTAT i referohet papunësisë zyrtare, ndërkohë që jo të gjithë të papunët regjistrohen zyrtarisht si të tillë dhe së treti, kjo shifër nuk reflekton papunësinë në fshat, ku sipas ligjit, cdokush që ka një ngastër tole konsiderohet i punësuar, pavarësisht nëse gjeneron apo jo të ardhura prej saj.








