Në shkollat shqiptare ka gjithmonë e më pak nxënës. Kjo si pasojë e drejtëpërdrejtë e emigrimit të vazhdueshëm, por edhe tkurrjes së popullsisë. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2025-2026, në arsimin parauniversitar u regjistruan 399.258 nxënës, duke shënuar një rënie prej 1.7 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Rënia më e ndjeshme vërehet në arsimin 9-vjecar.
Kështu, sipas statistikave, 66.343 nxënës u regjistruan në kopshte ose 0.7 % më shumë krahasuar me vitin e kaluar shkollor. 48.3 % e të regjistruarve në kopshte janë vajza dhe 85,8 % janë regjistruar në institucionet arsimore publike.
Përsa i përket arsimin 9-vjeçar, janë regjistruar 243.764 nxënës ose 2.7 % më pak të regjistruar, krahasuar me vitin shkollor 2024-25. Nga këta, 48 % e të regjistruarve janë vajza dhe 87.6 % janë regjistruar në institucionet arsimore publike.
Sipas INSTAT, 88.837 nxënës u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë ose 0.4 % më pak të regjistruar, krahasuar me vitin shkollor 2024-25. të dhënat tregojnë se 47.1 % e të regjistruarve në arsimin e mesëm të lartë janë vajza dhe 19.4 % janë regjistruar në arsimin profesional.








