Përmirësohet situate energjetike në vend. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, energjia në dispozicion u rrit me 8,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 63,2 %, duke arritur në 3.647 GWh, nga 2.234 GWh në tremujorin e parë të vitit 2025. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 45,7 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 47,3 %, si dhe nga prodhues të tjerë në masën 7,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Importi bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2026, arriti në 327 GWh, nga 767 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një ulje prej 57,4 %.
Eksporti bruto i energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet (energji në dhënie), në tremujorin e parë të vitit 2026, arriti në 1.503 GWh, nga 732 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 105,4%.

INSTAT konstaton se humbjet në rrjet u rritën me 8,0 %, duke arritur në 516 GWh në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me 478 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Pesha e humbjeve në rrjet ndaj energjisë elektrike në dispozicion, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, është 20,9 %, kundrejt 21,1 % në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke shënuar një ulje prej 0,2 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, humbjet në transmetim u rritën me 31,9 %, ndërsa humbjet në shpërndarje u rritën me 5,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2026, u rrit me 9,1 %, duke arritur vlerën 1.954 GWh nga 1.791 GËh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2025.
Në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët kanë ndikuar si konsumatorët familjarë, të cilët shënuan një rritje të konsumit me 8,8 %, ashtu edhe konsumatorët jo familjarë, të cilët shënuan një rritje me 9,5 %, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.








