Bizneset dhe shteti duhet të shlyerjnë faturat brendsa 30 ditësve. Është ky afati i përcaktuar në ligjin e ri, që ka hedhur qeveria për konsultim publik. Bëhet fjalë për ndryshimet në ligjin “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, një draft që synon të vendosë rregulla më të forta për kompanitë dhe institucionet publike që vonojnë faturat.
Projektligji parashikon që pagesat mes bizneseve, por edhe mes bizneseve dhe institucioneve shtetërore, të kryhen brenda 30 ditëve. Vetëm në raste të veçanta afati mund të zgjatet deri në 60 ditë.
Ndryshimet ligjore përcaktojnë edhe kamatvonesat. Nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit, interesi për vonesën do të nisë automatikisht, pa pasur nevojë për procedura shtesë apo paralajmërime. Në relacion argumentohet se vonesat në pagesa kanë dëmtuar sidomos bizneset e vogla dhe të mesme, duke krijuar probleme me likuiditetin dhe konkurrencën në treg.
Një tjetër pikë e re është afati i procedurave të verifikimit apo kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas draftit, këto procedura nuk duhet të zgjasin më shumë se 30 ditë, me qëllim shmangien e zvarritjeve artificiale të pagesave.
Projektligji parashikon edhe përshpejtim të procedurave gjyqësore. Për faturat e pakundërshtuara nga pala debitore, gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë siguri për bizneset dhe të frenojnë praktikën e pagesave me vonesë, që prej vitesh konsiderohet një nga problemet kryesore të tregut shqiptar.








