Produktiviteti i punës në Ballkanin Perëndimor (vlera e prodhimit për punonjës) shfaq dinamika të ndryshme në secilin shtet, duke reflektuar modelet e zhvillimit, ku Shqipëria renditet e fundit për një efikasitet të ulët të vlerës së punës, teksa kryesojnë Mali i Zi dhe Serbia.
Sipas të dhënave të fundit të përpunuara nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WiiW), Mali i Zi rezulton se ka produktivitetin më të lartë në rajon, me një vlerë prej 47,050 eurosh për punonjës në 2024, ose sa 57% e mesatares se BE-së. Ky pozicionim i favorshëm i atribuohet kryesisht strukturës së ekonomisë malazeze, e cila është e orientuar drejt shërbimeve me vlerë të lartë dhe industrive specifike. Menjëherë pas tij renditet Serbia, e cila me një prodhim prej 46,260 eurosh për punonjës në 2024 dhe një nivel efikasiteti sa 56% e mesatares së BE-së. Vlera e më e lartë e punës në Serbi reflekton investimet e huaja direkte në sektorët prodhues dhe teknologjik.
Sipas analizës së ekspertëve të Vjenës, Kosova paraqitet me një performancë solide me 44,970 euro për punonjës, duke arritur në 55% të mesatares së BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut ndjek me 43,810 euro në 2024 ose 53% e mesatares së BE-së. Maqedonia rriti vlerën e punës me anë të krijimit të Zonave të Lira Ekonomike, të cilat kanë thithur investime nga industria a automative.
Ndërsa Kosova ka një nga popullsitë më të reja në Europë dhe për këtë arsye pa një rritje të shpejtë të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve të kontraktuara (BPO). Këto janë punë me produktivitet të lartë, ku një i ri me një kompjuter gjeneron vlerë shumë më të madhe monetare sesa një punëtor në bujqësi apo ndërtim.
Në fund pozicionohen Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria, të cilat shfaqin nevojën më të madhe për reforma strukturore me qëllim që të rrisin vlerën e punës për punonjës. Me një prodhim prej 35,950 eurosh për një të punësuar, Bosnja dhe Hercegovina qëndron mbi Shqipërinë, e cila renditet në fund me një prodhim 34,580 euro për punonjës në 2024. Sipas vlerësimeve, Shqipëria arrin vetëm 42% të produktivitetit të BE-së, duke reflektuar varësinë e lartë nga sektorët me vlerë të shtuar të ulët, si bujqësia apo fasoneria dhe një nivel më të ulët të automatizimit të proceseve në krahasim me vendet e tjera të Rajonit.
Të dhënat e institutit të Vjenës nënvizojnë se rritja e produktivitetit mbetet sfida kryesore për të gjithë rajonin. Diferenca e theksuar mes 57% të Malit të Zi dhe 42% të Shqipërisë tregon se rruga drejt konvergjencës ekonomike me Bashkimin Europian kërkon një riorientim urgjent drejt inovacionit, edukimit profesional dhe investimeve në teknologji, si mjetet e vetme për të rritur mirëqenien dhe vlerën e punës në të gjithë Ballkanin Perëndimor./ Monitor









