Ministria e Financave përmbylli me sukses përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aksesimit të fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Nën drejtimin e Zyrtarit Kombëtar Autorizues (ZKA), dhe me mbështetjen e strukturave përkatëse, Drejtorisë Mbështetëse të ZKA-së dhe Drejtorisë së Fondit Kombëtar u përgatit një dokumentacion i plotë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Paketa e dorëzuar përfshin kërkesën për besimin e detyrave të zbatimit buxhetor, të shoqëruar me prova të detajuara mbi përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Dorëzimi i kësaj pakete përbën një moment kyç në përgatitjet për çeljen e fondeve të IPARD III, e cila synohet të realizohet gjatë vitit 2026.
Në vijim, procesi do të hyjë në fazën e vlerësimit nga shërbimet e Komisionit Evropian (DG AGRI), që përfshin analizën e detajuar të dokumentacionit dhe verifikime të mundshme në terren. Kjo fazë parashikohet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Ministria e Financave mbetet e angazhuar për të garantuar përmbushjen e të gjitha standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe për të mundësuar përthithjen efektive të fondeve IPARD III, në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonave rurale.







