Autoriteti Rrugor Shqiptar pritet të hapë 2 tenderë për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë – Elbasan, me korridorin 8, një projekt që synon ndërtimin e një segmenti që nis pa mbërritur te rrethrrotullimi i Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Metalurgjikut. Detajet për hapjen e procedurave tenderuese u bënë me dije gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e aksit rrugor Elbasan – Papër, pjesë e korridorit 8 nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe kreu I ARRSH-së Ami Kozeli.
“Korridori 8 lidhet me një segment tjetër po ashtu mjaft të rëndësishëm, që është bypass-i i Elbasanit, i cili është i buxhetuar nga ARRSH-ja për vitin 2026 dhe duhet të fillojë procedurat e prokurimit shumë shpejt. Dhe pastaj lidhet me pjesën e segmentit që sapo jemi duke parë, që është Elbasan-Paper, ura e Grykshit”, – tha Karakaçi.
“Në javët në vijim, ne parashikojmë hedhjen në tenderim të dy fazave të bypass-it, dhe konkretisht i bie të fillojnë punimet diku në afërsi të fshatit Shijon. Faza e parë bën lidhjen me nyjen e rrugës ekzistuese, asaj që ne përdorim sot, ndërkohë pastaj vijon faza e dytë dhe bën lidhjen pikërisht me aksin Elbasan – Papër, faza 1 që jemi edhe ne aktualisht”, – tha Ami Kozeli, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ky segment i ri synon lehtësimin e trafikut që krijohet në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan, një segment tejet problematik. Ndërkaq, sipas të dhënave të publikuara pranë Agjencisë së Prokurimit Publik ndërtimi do të ndahet në 2 kontrata. Kontrata për lotin I do të ketë një fond limit prej 3.34 mld lekë, ndërsa për lotin II, 2.5 mld lekë, me një total prej 5.84 mld lekë. Ndërkaq, në përfundim të punimeve, korridori 8 do të jetë rrugë e kategorisë A e do të lejojë shpejtësi lëvizjeje 130 km në orë.








