Nis sot Samiti i Diasporës. Një event i rëndësishëm që do të zhvillohet deri më datë 15 prill në Pallatin e Kongreseve dhe do t’i kushtohet diasporës.
Megi Fino, zv.ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, e ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se periudha mes viteve 2026 dhe 2030 do të jetë më konkrete sa i përket diasporës sepse, sipas saj, “do të diskutohet me diasporën”.
“E rëndësishmja e Samitit të Diasporës është të vijojmë me projektet konkrete përtej samitit. Strategjia 2026-2030 do të jetë më konkrete sepse do të diskutohet me diasporën”, tha fillimisht Fino.
“Nëpërmjet këtij samiti, diapora do të shihet si partner strategjik. Do të krijohën struktura”, shtoi zv/ministrja. Sipas saj, “duhen krijuar mekanizma që funksionojnë edhe pas samitit”.
Një ndër shtyllat kryesore të Samitit të Diasporës do të jetë edhe Forumi Ekonomik, që do të zhvillohet më datë 14 prill (e martë) në pora 11.00-13.00. Forumi oranizohet nga Dhoma e Biznesit të Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme, si dhe me Rrjetin Global të Bizneseve të Diasporës.
Dhoma e Biznesit të Diasporës ka sjellë në Tiranë në këtë forum kompani të rëndësishme të diasporës në botë, por edhe kompani të huaja të rëndësishme europiane dhe botërore, që kanë interes për tregun shqiptar.








