Kryeministri Edi Rama në Pokastin FLASIM, është ndalur edhe te Samiti i Diasporës që do të nisë në Tiranë në datën 13 Prill. Kreu i qeverisë tha se ky takim, bashkon gjithë shqiptarët në Tiranë, duke kthyer vëmendjen te historitë e tyre të punës, përkushtimit, suksesit dhe mundësitë e reja të investimeve.
” Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës, edicioni i katërt, që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë në Shqipëri dhe, sa herë u jepet mundësia, mendojnë, komunikojnë apo vizitojnë Shqipërinë.
E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre, histori suksesi, pune e përkushtimi, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë, por, njëkohësisht, edhe një hapje për vlerësim.
Vlerësim, jo vetëm për shqiptarët që kanë arritur dhe kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre, miq të huaj që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve, janë bërë bashkë dhe kanë bashkuar, në një farë mënyre, krahët e shqiponjës sonë.
Sot, diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet politike të vendit. Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithmonë e më shumë si një partner, si një partner i drejtpërdrejtë, duke filluar nga zgjedhjet politike, pastaj edhe tek ekonomia dhe, hap pas hapi, në rrugët e dijes drejt hapësirave të reja të së ardhmes.
Dhe sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë” – tha kryeministri Rama.
Dhoma e Biznesit të Diasporës, organizatore e Forumit Ekonomik në kuadër të Samitit të Diasporës
Në kuadër të Samitit të Diasporës, do të zhvillohet forumi ekonomik “Diaspora, partner në biznes dhe inovacion”. Ky event organizohet nga Dhoma e Biznesit të Diasporës në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe me Rrjetin Global të Bizneseve të Diasporës, duke krijuar një platformë të përbashkët dialogu mes institucioneve dhe sipërmarrjes ndërkombëtare.
Forumi synon të shërbejë si një hapësirë konkrete për nxitjen e investimeve, krijimin e partneriteteve të reja dhe promovimin e Shqipërisë si një destinacion konkurrues për biznesin. Në këtë kuadër, një vëmendje e veçantë i kushtohet kalimit nga modeli tradicional i remitancave drejt një qasjeje më të strukturuar të investimeve të diasporës.
Një ndër elementët më të rëndësishëm të këtij aktiviteti është pjesëmarrja e kompanive të rëndësishme europiane, të ftuara nga Dhoma e Biznesit të Diasporës, të cilat kanë shprehur interes konkret për tregun shqiptar apo kanë tashmë eksperienca të suksesshme bashkëpunimi. Bëhet fjalë për kompani të rëndësishme si TERRA-A, Port of Antëerp-Bruges, Van Oord, Rhenus Logistics, Dupi Fruit etj.
Prania e këtyre kompanive prestigjoze pritet të sjellë, jo vetëm mundësi të reja investimi, por edhe transferim njohurish, teknologjie dhe standardesh.








