Banka e Shqipërisë ka analizuar ecurinë e ekonomisë, duke evidentuar edhe rreziqet e mundshme që e kërcënojnë. Institucioni mbikëqyrës bankar publikoi Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2025. Në këtë dokument theksohet se veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.
Zgjerimi i aktivitetit të sektorit bankar u përshpejtua, me kontribut kryesor nga rritjet e depozitave dhe të kapitalit, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj. Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv dhe disi më i ulët se ai i një viti më parë.
Rreziqet që burojnë nga ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, si edhe ato të veprimtarisë së vetë sektorit bankar, vlerësohen në nivele të kontrolluara. Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara.
Megjithatë, mbetet e nevojshme që bankat të forcojnë sistemet e tyre të parandalimit dhe të administrimit të rreziqeve, të testojnë rregullisht rezistencën ndaj tyre, si dhe të ruajnë nivelet e përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë.
Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale mbeti e kujdesshme dhe pesha e borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vijoi të bjerë. Presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë që paraqesin aktualisht zhvillimet ndërkombëtare. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve të synojnë ruajtjen e rezervave financiare dhe drejtimin me efektivitet të investimeve të tyre.







