Këshilli i ministrave ditën e sotme ka miratuar disa vendime për sektorin e ekonomisë në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe vendimin me rregulloren e re për shfrytëzimin e hapësirave publike.
Pas përfundimit të mbledhjes, në daljen për mediat Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se në mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme qeveria ka miratuar vendimin për një fond prej 100 milionë lekë i akorduar për AIDA.
“Nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave ne miratojmë një fond prej 100 milionë lekë, i cili do të akordohet për AIDA-n, për mbështetjen e sipërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme”.
Këshilli i ministrave miratoi gjithashtu edhe projektligjin për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.
“Ky ligj krijon kushtet për të pasur një siguri të të dhënave më të lartë, për të krijuar portofolin e identitetit dixhital, i cili është parakusht dhe përmbyll në mënyrë të përhershme çështjen e shkresave apo të dokumentave elektronike. Me miratimin e këtij ligji dhe me hyrjen në fuqi të tij ne mund të themi se në një kohë afatmesme, do të eleminojmë të gjithë dokumentat shkresore dhe të gjithë firmat shkresore dhe administrata shqiptare do të mund të punojë “paperless’.
Akti i dytë i cili u miratua lidhet gjithashtu me procesin e integrimit europian. Ne përmbyllim të gjitha piketat, pra kjo ishte piketa përmbyllëse e kapitullit 30. Nëpërmjet aktit që sapo u miratua dhe nëpërmjet një mekanizmi të një bordi të drejtuar nga Ministri i Ekonomisë, një bord ndërministror, ne do të shqyrtojmë të gjithë investimet të cilat vijnë nga vende jo anëtare të Bashkimit Europian, fillimisht në dy fusha, në fushën e medias dhe në në fushën e mbrojtjes dhe më pas me arsimit në Bashkimin Europian. Ky bord do të do të shqyrtojë të gjitha kërkesat për investime të huaja në të gjithë sektorët kritik të ekonomisë shqiptare”, deklaroi Ibrahimaj.
Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe rregulloren e re për shfrytëzimin e hapësirave publike.
Pas përfundimit të mbledhjes ministri i shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo tha se rregullorja do të sjellë risi për unifikimin e praktikave në nivel kombëtar, dhe ka specifika të caktuara ku bashkitë do të përdorin.
Kjo do të krijojë një platformë të re për menaxhimin e hapësirave publike ku aktorët kryesorë për formalizimin e kësaj rregullore kanë qene vetë bashkitë.







