Kalendari zyrtar i festave për vitin 2026 rezulton të jetë jashtëzakonisht bujar me punonjësit e administratës dhe nxënësit në Shqipëri. Për shkak të rregullit ku festat që bien në fundjavë transferohen në ditët e para të javës, viti 2026 do të ketë një seri të gjatë “urash” që mundësojnë pushime treditore apo katërditore, duke filluar që nga kjo javë.
Pas festës së sotme të Bajramit, e hëna e ardhshme, data 23 mars, do të jetë pushim zyrtar pasi Dita e Nevruzit bie të dielën. Ky trend vijon intensivisht në muajin prill, ku të dyja Pashkët, ato Katolike (5 prill) dhe Ortodokse (12 prill), duke qenë gjithmonë ditë e diel, do t’i mbajnë institucionet e mbyllura edhe në datat 6 dhe 13 prill. Kjo krijon një cikël pushimesh që zgjat pothuajse gjithë muajin, duke u mbyllur me 1 majin, i cili këtë vit bie ditë e premte, duke siguruar një tjetër fundjavë të gjatë për të gjithë shqiptarët.
Edhe pjesa e dytë e vitit rezervon surpriza të ngjashme, veçanërisht në muajt shtator dhe nëntor. Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës bie të shtunën më 5 shtator, duke e zhvendosur pushimin të hënën më 7 shtator. Por, “maratona” e vërtetë ndodh në nëntor: Dita e Alfabetit (22 nëntor) bie të dielën, ndërsa festat e Pavarësisë dhe Çlirimit (28 dhe 29 nëntor) qëllojnë të shtunë dhe të diel. Kjo do të thotë se java e fundit e nëntorit do të mbyllet me një bllok pushimesh që zgjat nga e hëna 23 nëntor deri të martën 1 dhjetor, duke i dhënë mundësinë kujtdo që të organizojë pushime të mirëfillta në prag të fundvitit.
Ky kalendar, i konfirmuar edhe nga Banka e Shqipërisë, tregon se viti 2026 do të ketë të paktën tetë data ku pushimi “i fituar” nga fundjava do të konsumohet gjatë javës. Për sektorin e turizmit dhe shërbimeve, kjo është një mundësi e artë për të rritur qarkullimin përmes turizmit të brendshëm, ndërsa për qytetarët, mbetet viti i duhur për të shfrytëzuar maksimalisht ditët e lira pa pasur nevojë të shpenzojnë shumë nga leja e tyre vjetore./Tv Scan








