Nga Fatos Çoçoli
Efekti ekonomik i përfshirjes zyrtare të Korridorit të VIII-të në infrastrukturën kritike të NATO-s është i drejtpërdrejtë: më shumë punësim, të ardhura fiskale më të larta dhe rritje e aktivitetit ekonomik lokal
Shqipëria po investon bindshëm në modernizimin e rrugëve, hekurudhave dhe porteve, si dhe po përmirëson administrimin, transparencën dhe planifikimin strategjik
Në këto vitet e fundit, këtë detyrë e ka kryer me seriozitet dhe përkushtim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Nga Fatos Çoçoli
Ministeriali i Ministrave të Mbrojtjes së NATO-s u zhvillua dje më 12 shkurt 2026 në Bruksel dhe e përfshiu zyrtarisht Korridorin e VIII-të në listën e infrastrukturave kritike të NATO-s. Kjo përfshirje përfaqëson një zhvillim me peshë strategjike jo vetëm në planin e sigurisë rajonale, por edhe për perspektivën ekonomike të shëndoshë të Shqipërisë.
Ky korridor, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka qenë prej kohësh një projekt me rëndësi gjeopolitike, por tashmë po merr një dimension të ri, si pjesë e arkitekturës së sigurisë euroatlantike.
Siguri më e madhe nga NATO, klimë më e favorshme për investime
Kur një aks infrastrukturor konsiderohet kritik nga NATO, kjo nënkupton rritje të standardeve të sigurisë, mbrojtje më të madhe strategjike dhe vëmendje të shtuar financiare e politike. Për Shqipërinë kjo përkthehet në një klimë më të besueshme për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorët e transportit, energjisë, logjistikës dhe turizmit.
Investitorët kërkojnë stabilitet dhe garanci sigurie. Statusi i Korridorit VIII si infrastrukturë kritike e Aleancës rrit perceptimin e Shqipërisë si një vend i integruar fort në sistemin euroatlantik, duke ulur rrezikun politik dhe ekonomik.
Rritja e rolit të porteve shqiptare
Portet shqiptare, veçanërisht Durrësi, Vlora dhe Porto Romano në perspektivë, fitojnë një rëndësi të re si nyje logjistike të NATO-s dhe të tregtisë ndërkombëtare. Kjo sjell shtim të volumit të mallrave dhe tranzitit rajonal, investime në infrastrukturën portuale dhe hekurudhore, si dhe zhvillim të sektorit të shërbimeve logjistike dhe transportit. Zona përreth Porto Romanos do të shndërrohet shumë shpejt në një zonë të lirë ekonomike.
Tabela 1. Porti i ri tregtar në Porto-Romano
| Treguesit | Cilësime |
| · 450 ha shtrirje. 2 milionë kontejnerë
· Faza e parë e investimit do të kushtojë 392 mln euro. · Porto-Romano do të krijojë në fazën e parë të investimit 1,500 vende pune · Zhvendosja e portit aktual të Durrësit do të kërkojë 7 vjet
|
Do jetë më i gjerë dhe më i madh se porti i sotëm tregtar në Durrës, që shpesh nuk i arrin dot një milionë kontejnerë në vit
Port që do u japë jetë hekurrudhave Durrës-Prishtinë dhe Durrës-Strugë Port në shërbim të porteve të thata në Prishtinë dhe Strugë |
Një aset i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Këto dy qendra të mëdha përpunimi kontejnerësh në tokë(prandaj quhen porte të thata) e bëjnë edhe më të dobishëm dhe më me përfitim investimin e qeverisë në Porto Romano.
Tabela 2. Klientët e shtuar në Porto-Romano
| Porti i Durrësit | Porto Romano(parashikim) |
| · 55% e mallrave për/nga Tirana
· 30% e mallrave për/nga Prishtina · 15% e mallrave për/nga qytetet e tjera |
· 45% e mallrave për/nga Tirana
· 30% e mallrave për/nga Prishtina · 15% e mallrave për/nga Struga · 10% e mallrave për/nga qytetet e tjera · 5% e mallrave për/nga shtetet e tjera të Ballkanit |
Aktualisht, 30 përqind e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë ose në drejtim të Kosovës, ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera. E gjithë industria, dhe jo vetëm ajo logjistike, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, si dhe e gjithë industria e tyre e transportit, ajo rrugore dhe hekurudhore, e kanë mirëpritur si lajm ndërtimin e portit të ri kryesor tregtar të Shqipërisë në Porto Romano.
Efekti ekonomik i përfshirjes zyrtare të Korridorit të VIII-të në infrastrukturën kritike të NATO-s është i drejtpërdrejtë: më shumë punësim, të ardhura fiskale më të larta dhe rritje e aktivitetit ekonomik lokal. Korridori i VIII-të nuk është thjesht një rrugë transporti; ai është një arterie ekonomike që lidh tregje, energji dhe njerëz.
Për Shqipërinë, kjo do të thotë lehtësim i eksporteve drejt Lindjes dhe Evropës Qendrore, zhvillim i industrisë turistike, përmes aksesit më të lehtë rajonal, si dhe integrim më i madh ekonomik me Ballkanin dhe më gjerë.
Tabela 3. Përfitimet direkte nga përcaktimi zyrtar i NATO-s
- Shtim të volumit të mallrave dhe tranzitit rajonal
- Investime në infrastrukturë portuale dhe hekurudhore
- Zhvillim të sektorit të shërbimeve logjistike dhe transportit
- Lehtësim i eksporteve drejt Lindjes dhe Evropës Qendrore
- Zhvillim i industrisë turistike përmes aksesit më të lehtë rajonal
- Integrim më i madh ekonomik me Ballkanin dhe më gjerë.
Përfshirja pakëson gjithashtu varësinë nga korridoret tradicionale tregtare dhe rrit diversifikimin ekonomik.
Dimensioni energjetik dhe strategjik
Korridori i VIII-të ka potencial të rëndësishëm edhe për transport energjie, përfshirë gazsjellës, linja energjetike dhe projekte të tjera strategjike. Për Shqipërinë kjo nënkupton mundësi për siguri energjetike më të madhe, investime në energji dhe infrastrukturë, si dhe rol më aktiv në hartën energjetike të rajonit.
Përfshirja zyrtare e Korridorit VIII në infrastrukturën kritike të NATO-s nuk është vetëm një çështje sigurie, por një mundësi e rëndësishme zhvillimi ekonomik për Shqipërinë, e cila kërkon vizion, investime dhe koordinim strategjik.
Një mundësi që kërkon vizion dhe investim
Përfitimet nuk janë automatike. Shqipëria duhet të investojë në modernizimin e rrugëve, hekurudhave dhe porteve, si dhe të përmirësojë administrimin, transparencën dhe planifikimin strategjik. Këtë në këto vitet e fundit e ka bërë me seriozitet dhe përkushtim Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Vetëm kështu statusi i Korridorit VIII si infrastrukturë kritike e NATO-s mund të shndërrohet në motor real zhvillimi ekonomik.
Përfshirja e Korridorit VIII në infrastrukturën kritike të NATO-s është një mundësi historike për Shqipërinë. Ajo forcon sigurinë kombëtare, rrit besueshmërinë ndërkombëtare dhe krijon kushte për rritje ekonomike afatgjatë. Sfida tani mbetet shfrytëzimi inteligjent i kësaj mundësie, duke e kthyer një projekt strategjik në një katalizator konkret zhvillimi për ekonominë shqiptare.







