Kredia afatgjatë e dhënë nga sektori bankar ndoqi përsëri një tendencë në rritje gjatë vitit të kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor 2025, pesha e kredisë afatgjatë (me maturim mbi pesë vjet), kundrejt totalit të kredisë arriti në 64.3%, nga 62% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pesha e kredisë afatgjatë ndodhet pranë niveleve më të larta historike. Ky nivel u regjistrua në tetor 2025, kur kredia afatgjatë përbënte më shumë se 65% të totalit të portofolit.
Gjatë viteve të fundit, ka një tendencë të qartë të rritjes së peshës së kësaj kredie në strukturën e kredisë bankare. Rritja është e lidhur kryesisht me orientimin më të madh të sektorit bankar drejt kredisë për pasuri të paluajtshme dhe në përgjithësi drejt financimeve që mbështesin investimet.
Në vlerë, portofoli i kredive afatgjata arriti shumën e 586.4 miliardë lekëve, me një rritje prej 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kreditë më tipike afatgjata janë ato që shkojnë për financimin e blerjes apo ndërtimit të pasurive të paluajtshme, qoftë nga ndërmarrjet apo nga individët. Kredia për këto qëllime në vitet e fundit është rritur me ritme të shpejta, e nxitur nga cikli i ri i të tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe nga një ofertë e lartë e bankave në këtë segment.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 240.3 miliardë lekëve ose gati 2.5 miliardë eurove, me një rritje vjetore prej 18%.
Ky produkt tashmë ka peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe përbën më shumë se 27% të portofolit të kredisë për ekonominë.
Me ritme dyshifrore po rritet edhe kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve, që ka arritur në 205.3 miliardë lekë, në rritje me 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zgjerimi në tregun e kredive hipotekare, sidomos tek individët, është një mekanizëm që mundëson një shpërndarje të mirë të riskut kreditor, por edhe një rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme të portofolit. Kreditë hipotekare dhe ato afatgjata në përgjithësi kanë një amortizim më të ngadaltë në kohë dhe ofrojnë një qëndrueshmëri më të madhe të rritjes së kredisë.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme, sidomos në dy vitet e fundit, ka shqetësuar Bankën e Shqipërisë, që ka nisur aplikimin e masave që tentojnë ta ngadalësojnë ritmin e rritjes së huadhënies. Nga muaji korrik i vitit 2025, kanë hyrë në fuqi edhe disa nivele tavan për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që japin bankat për pasuri të paluajtshme rezidenciale./Monitor








