Qeveria “ka nxjerrë mësime” nga abuzimet me fondet e programit IPARD të Bashkimit Europian në bujqësi. Ndërsa këto fonde ende nuk janë liruar dhe OLOF pritet të marrë vendim, në Kodin Penal të sapo miratuar nga parlamenti, janë parashikuar masa të forta deri në burgim për të gjithë ata që abuzojnë me fondet e BE-së.
Në nenin 19 të Kodit Penal theksohet se do të dënohen deri në 5 vite burg për moszbulim informacioni në shkelje të një detyrimi specifik, përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota që ka si efekt përvetësimin ose mbajtjen e padrejtë të fondeve nga buxheti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të Bashkimit Evropian, ose keqpërdorimi i fondeve të tilla për qëllime të tjera nga ato për të cilat ato janë dhënë.
Por cfarë thotë saktësisht ndryshimi ligjor i parashikuar në Kodin Penal?
“Moszbulimi i informacionit në shkelje të një detyrimi specifik, përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota që ka si efekt përvetësimin ose mbajtjen e padrejtë të fondeve nga buxheti i përgjithshëm i Bashkimit Evropian ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të Bashkimit Evropian, ose keqpërdorimi i fondeve të tilla për qëllime të tjera nga ato për të cilat ato janë dhënë, dënohet me burgim gjer në 5 vjet. Moszbulimi i informacionit në shkelje të një detyrimi specifik, përdorimi ose paraqitja e deklaratave ose dokumenteve të rreme, të pasakta ose të paplota që ka si efekt zvogëlimin e paligjshëm të burimeve të buxhetit të përgjithshëm të Bashkimit Evropian ose buxhetet e menaxhuara nga ose në emër të Bashkimit Evropian ose keqpërdorimi i një përfitimi të përfituar ligjërisht dënohet me burgim gjer në 5 vjet. Kur veprat e parashikuara në paragrafët e parë dhe të dytë të këtij neni kryhen në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohen me bugim nga dy gjer në gjashtë vjet. Kur të njëjtat vepra përfshijnë një shumë, që tejkalon 50 000 euro, dënohen me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, theksohet në Nenin 19 të Kodit Penal.
Ky ndryshim ligjor vjen pas rastit të abuzimit me fondet e Bashkimit Europian në kuadër të programit IPARD të Bashkimit Europian, ku Shqipërisë iu pezulluan 120 milionë euro në bujqësi. Një process që ende vijon të jetë I bllokuar, teksa bujqësia është një sector që po vuan mungesën e fondeve dhe prej tre vitesh tashmë, është futur në një trajektore rënëse të fortë.









