Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për Krijimin Dhe Funksionimin e Dritares së Vetme Kombëtare Për Doganat”. Një draft që ka për qëllim të përcaktojë rregullat për krijimin dhe vënien në funksionim të kësaj dritareje, si dhe rregullat për bashkëpunimin elektronik, përmes shkëmbimit të të dhënave të ndërveprueshme, ndërmjet autoriteteve doganore dhe autoriteteve të tjera kompetente sipas legjislacionit në fuqi, për mallrat që hyjnë dhe dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, duke mundësuar dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar në mënyrë të standartizuar dhe sipas parimit “vetëm një herë”.
Projektligji është një kusht që plotëson Shqipëria në procesin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Një lehtësi që lejon palët e përfshira në tregti dhe transport të depozitojnë elektronikisht, vetëm një herë, informacionin e kërkuar përmes dokumentve të standardizuara, në një pikë të vetme hyrjeje, për të përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që lidhen me importet, eksportet dhe tranzitin”, theksohet në projektligj.
Objektivi kryesor i këtij propozimi është lehtësimi i transportit dhe përmirësimi i procedurave doganore dhe jo-doganore, duke u parë kjo në kuadër të angazhimit politik të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.







