Yield-et e bonove të thesarit e mbyllën vitin 2025 në nivele minimale. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, në ankandin e fundit të këtij viti yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore rezultoi 2.44%, po aq sa në ankandin e mëparshëm, që ishte një zhvilluar një javë më parë.
Në ankandin e fundit të 2025 kërkesa rezultoi disi më e ulët krahasuar me ankandet e mëparshme, me 6.65 miliardë lekë, nga 6.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave. Megjithatë, në fund Ministria e Financave vendosi të pranojë kërkesa për shumën 6.15 miliardë lekë. Kjo mund të lidhet me nevojën e pakët për hua, duke pasur parasysh se deri në fund të muajit nëntor buxheti ishte në suficit të bollshëm dhe me shumë të ngjarë programi i planifikuar i shpenzimeve nuk do të realizohet dot i tëri për këtë vit.
Yield-et e bonove të thesarit e mbyllën vitin 2025 poshtë nivelit të normës bazë të interesit, duke konfirmuar në vijimësi një ecuri të normave të ulëta gjatë gjithë këtij viti. Yield-i i bonove është në rënie edhe krahasuar me një vit më parë. Yield-et e bonove 12-mujore e kishin mbyllur vitin 2024 në nivelin 2.76%, edhe në atë rast shumë afër normës bazë të interesit.
Yield-et e ulëta mund të shpjegohen me disa faktorë, duke filluar nga gjendja e mirë e likuiditetit, kërkesa në rënie e qeverisë për financim në tregun e brendshëm dhe primet më të ulëta të rrezikut, të lidhura me uljen e borxhit publik dhe përmirësimin e vlerësimit të kreditit të qeverisë nga agjencitë e specializuara.
Yield-et e ulëta të titujve qeveritarë dhe sidomos të instrumenteve afatshkurtra ndikojnë edhe koston e kredisë në Lekë për sektorin privat. Duke qenë se kreditë afatgjata në monedhën vendase në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi ecurinë e bonove të thesarit, yield-et e ulëta të tyre ndikojnë edhe nivele të ulëta të normave të interesit të kredive.
Statistikat tregojnë se edhe këtë vit kredia po rritet me ritme të shpejta, pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë, që ka rritur më tej këtë vit kërkesën për kapital ndaj bankave, ndërsa paralelisht ka vendosur edhe disa masa kufizuese në huadhënien për blerje banesash nga indivdët.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, për tremujorin e parë 2026 huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse huamarrje në tremujorin e parë 2026 pritet të rritet lehtë, në tërësi për gjithë vitin 2026 ajo parashikohet të ketë një vlerë më të ulët krahasuar me një vit më parë.
Sipas buxhetit të vitit 2026, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, vlerë kjo 10% më e ulët krahasuar me atë të parashikuar në buxhetin e vitit 2025./Monitor








