Nga Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania Edvin Prençe
Sektori fason i manifakturës së veshjeve dhe këpucëve përbën një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë prodhuese shqiptare. Me mbi 700 ndërmarrje aktive, rreth 65 mijë të punësuar, kryesisht gra dhe me një peshë që arrin rreth 30% të totalit të eksporteve të mallrave, ky sektor ka mbajtur gjallë eksportet, punësimin dhe stabilitetin social në dekadat e fundit.
Vetëm në vitet e fundit, eksportet e tekstileve dhe këpucëve kanë gjeneruar 1.2–1.4 miliardë euro në vit, duke qenë kontribuuesi kryesor në bilancin tregtar. Megjithatë, sot ai po përballet me një sfidë të re, më komplekse se çdo krizë e mëparshme: tranzicionin mjedisor dhe kalimin drejt ekonomisë qarkulluese, në një kontekst ku politikat po ecin më shpejt se realiteti industrial.
Programi Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve (PKPM), i miratuar së fundmi, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet e Bashkimit Europian dhe Kapitullin 27 të acquis. Por, nga këndvështrimi i sektorit, dokumenti ngre shqetësime serioze për mënyrën se si po projektohet ky tranzicion: me detyrime të qarta, por pa instrumente reale mbështetëse për industrinë prodhuese.
Së pari, sektori i tekstileve dhe këpucëve identifikohet qartë si një nga sektorët industrialë që gjeneron mbetje. Kjo është e vërtetë. Ajo që mungon, megjithatë, është dallimi thelbësor midis prodhuesit final dhe fasonit. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve shqiptare operojnë si nënkontraktorë (me procese si: prerje, qepje dhe paketim), pa kontroll mbi dizajnin, lëndën e parë, fibrat, ambalazhin apo kimikatet. Trajtimi i tyre në politikë bërje sikur të ishin prodhues finalë krijon një keq vendosje strukturore: kërkesa që nuk përputhen me kompetencat reale të ndërmarrjes.
Së dyti, PKPM parashikon zbatimin e Teknikave më të Mira të Disponueshme (TMD) dhe standardeve të reja mjedisore si bazë për lejet mjedisore. Në parim, kjo është e drejtë. Në praktikë, për një sektor të përbërë kryesisht nga NVM, të cilat operojnë me marzhe të ulëta dhe presion të vazhdueshëm në çmime nga tregjet ndërkombëtare, pa akses në financime të buta, pa grante kombëtare dhe pa një fond tranzicioni industrial, kjo përbën rrezik real për penalizim, humbje konkurrence dhe, në rastin më të keq, mbyllje aktiviteti.
Problemi thellohet nga mungesa totale e instrumenteve financiare të dedikuara. Dokumenti pranon se mungesa e inovacionit dhe teknologjisë pengon parandalimin e mbetjeve në industri, por nuk ofron asnjë mekanizëm konkret për ta adresuar këtë hendek. Nuk parashikohen grante, kredi të garantuara, lehtësi fiskale apo skema bashkëfinancimi për teknologji të pastra, riciklim industrial apo eficiencë burimesh. Tranzicioni kërkohet, por barra financiare lihet plotësisht mbi ndërmarrjet, në një kohë kur kostot e energjisë, punës dhe certifikimeve po rriten njëkohësisht.
Një tjetër element shqetësues është pabarazia konkurruese në treg. Politikat evropiane të eko-projektimit dhe pasaportës digjitale të produktit po rrisin standardet për produktet e BE-së, ndërsa importet nga vende jo-BE vijojnë të hyjnë me standarde më të ulëta mjedisore dhe kosto më të lira. Në këtë kontekst, prodhimi vendas ndodhet i shtrydhur nga të dyja anët: presion për standarde më të larta dhe konkurrencë nga produkte më të lira, pa mekanizma mbrojtës ose kompensues në politikat fiskale, doganore apo industriale.
Po aq problematike është mungesa e treguesve sektorialë specifikë. PKPM flet për objektiva kombëtarë dhe tregues horizontalë, por nuk vendos asnjë tregues të matshëm për mbetjet tekstile, mbetjet nga prerja, riciklimin e fibrave apo menaxhimin e “deadstock/tepricave të prodhimit”. Pa tregues, nuk ka as monitorim real dhe as politika korrigjuese, duke e lënë sektorin në një zonë gri midis detyrimit dhe pasigurisë.
Së fundi, dokumenti anashkalon rolin e shoqatave sektoriale dhe dialogun e strukturuar me grupet e interesit. Kjo mungesë reflektohet edhe në proceset më të gjera të vendimmarrjes ekonomike, përfshirë mosdiskutimin real me sektorët prodhues/eksportues në fazën e përgatitjes së Buxhetit 2026, ku nuk janë parashikuar linja të dedikuara mbështetëse për tranzicionin e gjelbër dhe inovacion të industrisë së lehtë. Politikat mjedisore, fiskale dhe buxhetore po ecin në paralel, pa u takuar në një strategji të unifikuar industriale.
Shoqata si ProEksport Albania nuk janë thjesht aktorë konsultativë, por mekanizma funksionalë për implementim, trajnim, vetërregullim dhe marrëveshje vullnetare sektoriale.
Nëse tranzicioni mjedisor ndërtohet pa industri dhe pa dialog me grupet e interesit, rrezikojmë ta kthejmë një reformë të domosdoshme në një krizë ekonomike dhe sociale. Ajo që kërkohet nuk është shtyrja e standardeve, por ndërtimi i një rruge realiste: fazë tranzitore, mbështetje financiare, diferencim i roleve në zinxhirin e vlerës dhe përfshirje aktive e sektorit në hartimin e politikave dhe të buxheteve vjetore.
Sektori Manifakturë i veshjeve dhe këpucëve është gati të bëjë pjesën e tij. Pyetja është nëse politikat publike dhe procesi buxhetor janë gati ta trajtojnë industrinë si pjesë të zgjidhjes, dhe jo vetëm si burim problemi.








