Nga Fatos Çoçoli
Javët e fundit, SPAK ka shtuar ndjeshëm ritmin e hetimeve për çështje tenderash, prokurimesh, lejesh zhvillimore, kontratash, investimesh publike dhe procedurash administrative. Ky zhvillim ka prodhuar një realitet të ri, ku efektiviteti i shërbimeve të administratës shtetërore dhe kapaciteti i vendimmarrjes po testohen fort. Në thelb, rritja e hetimeve, aktakuzave dhe ndjekjes së rasteve të korrupsionit në rangje të ndryshme të administratës, ka krijuar një efekt të dyfishtë.
Nga njëra anë, kjo qasje ka sjellë rritjen e llogaridhënies, gjëja më pozitive e mundshme dhe që e prisnim prej kohësh si qytetarë. Nga ana tjetër, ka prodhuar edhe një ndjenjë ankthi dhe pasigurie në strukturat publike. Se mos me barin e thatë, digjet dhe i njomi. Me fjalë të tjera, e ha edhe punonjësi i thjeshtë i administratës, që për të mbajtur vendin e punës detyrohet të hedhë një firmë.
Kjo ka sjellë një mesazh të qartë: çdo vendimmarrje, në çdo nivel, mund të verifikohet, hetohet dhe të jetë objekt penal. Ndërsa kjo ndihmon për të ulur abuzimet, ka prodhuar edhe një efekt paralizues tek shumë punonjës publikë, të cilët shohin rritje të rrezikut personal në përmbushjen e detyrave të tyre të përditshme.
Shumë zyrtarë, specialistë dhe drejtues raportojnë se vendimmarrja është ngadalësuar, jo për mungesë kompetence, por nga frika se çdo firmë mund të interpretohet keq në të ardhmen, edhe kur veprohet në mirëbesim. Terrorizimi i mirëfilltë i administratës publike po ushqehet nga pasiguria juridike.
Punonjësit e administratës shmangin përgjegjësinë dhe nënshkrimin e dokumenteve, ndërsa projektet publike vonohen, apo akoma dhe më keq, bllokohen ose shtyhen, nga hezitimi institucional. Ndërkohë aktet administrative po kalojnë përmes procedurave të panumërta të “vetëgarantimit”, për t’u mbrojtur nga çdo rrezik penal personal. Kjo ka shtuar me herë burokracine shtetërore, të cilës i është shtuar frika e punonjësit.
Kjo klimë pasigurie nuk lidhet me ekzistencën e ligjit, por me mënyrën si interpretohen dhe zbatohen masivisht procedurat penale mbi çështje që shpesh do të duhej të ishin vetëm administrative ose disiplinore.
Ndërkohë, mungesa e udhëzimeve të qarta dhe e rregullave të standardizuara mbi riskun administrativ, e ka forcuar këtë pasiguri. Një drejtësi aktive është e domosdoshme, por Shteti nuk mund të funksionojë, nëse administrata frikësohet dhe kompleksohet nga kryeja e detyrave bazë.
Rreziku është dhe po ndodh që politikat publike të mos zbatohen me ritmin e duhur, investimet të ngadalësohen dhe bashkëpunimi mes ministrive, bashkive dhe agjencive të tjera shtetërore të ndikohet negativisht.
Për herë të parë po ndodh që ekspertët profesionistë të largohen nga sistemi, jo nga gjetja e punës me pagë më të lartë në privat ose jashtë shtetit, por nga frika e përgjegjësisë penale në Shtet! Në vende të tjera, mekanizmat anti-korrupsion shoqërohen me udhëzime të qarta të riskut, sigurim të vendimmarrjes kolegjiale, trajnime të detyrueshme dhe mbështetje teknike juridike brenda institucioneve, për të shmangur pikërisht paralizën administrative të vendit.
Dallimi mes gabimit administrativ dhe shkeljes penale
Një nga problemet më të prehta është mungesa e një ndarje të qartë mes gabimit profesional, shkeljes administrative dhe keqpërdorimit të detyrës me dashje (përgjegjësia penale). Përfshirja e prokurorisë së posaçme në çështje që mund të zgjidheshin brenda sistemit administrativ ka rritur tensionin dhe perceptimin se çdo veprim mbart rrezik penal, pavarësisht kontekstit.
Kjo krijon një zgjatje të panevojshme të hetimeve, pasiguri të zgjatur për funksionarët dhe bllokim të proceseve. Për shkak të kësaj frike institucionale, procedurat e tenderave shtetërorë sot shtyhen për muaj të tërë, firmat private shmangin tenderët publikë nga frika e hetimeve të njëpasnjëshme, ndërsa zyrat ligjore nëpër ministri mbingarkohen me kontroll formal, në dëm të analizës së thelluar ekonomike dhe teknike.
Kompetenca profesionale po zëvendësohet nga “garantimi juridik” i pafund. Në terma makroekonomikë, kjo sjell vonesa në infrastrukturë, në projekte të energjisë, në programet e asistencës sociale, në investimet publike strategjike, dhe krijon një frenim në rritjen ekonomike.
Ne nuk po funksionojmë normal si Shtet, pasi vendimmarrja është e frikësuar, gati e bllokuar. Për të rivendosur normalitetin, kërkohen disa masa thelbësore.
Së pari, institucionet e drejtësisë, sidomos Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLGJ), duhet të nxjerrë udhëzime të qarta për dallimin mes gabimit administrativ dhe shkeljes penale. Vetë ekzekutivi duhet të nxisë vendimmarrjen kolegjiale, që ul riskun personal dhe rrit transparencën, si dhe të organizojë mbrojtjen juridike për punonjësit që veprojnë me profesionalizëm dhe mirëbesim.
Së dyti, KLGJ nuk duhet të lodhet për të përgatitur manuale të riskut administrativ, të cilat e ndihmojnë zyrtarin të kuptojë kufijtë ligjorë të përgjegjësisë. SPAK mbetet një institucion kyç i reformës në drejtësi, por zhvillimi i tij duhet të shoqërohet me forca të balancuara, që garantojnë se Shteti funksionon dhe politika publike nuk paralizohet.








