Gjysma e popullsisë shqiptare ka emigruar jashtë vendit. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se diaspora përllogaritet në fund të vitit 2025 në 2.256.346 individë jashtë territorit të Shqipërisë, ku stoku prej 1.177.529 individë janë meshkuj dhe 1.078.817 janë femra. Shumica e atyre që kanë emigruar janë në moshë pune.
“Përllogaritjet e diasporës tregojnë se ajo përfshin një popullsi relativisht të re. Grupmosha (0-14 vjeç) është rreth 18 %; pjesën kryesore e zë grupmosha (15-64 vjeç), me rreth 77 % dhe ajo mbi 65 vjeç, afërsisht 5 %. Kjo tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse”, vlerëson INSTAT në raportin “Diaspora në shifra”.


Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2021 i vendeve të Evropës tregojnë se stoku prej rreth 1.1 milionë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë vendbanues të zakonshëm në 31 vende të Evropës, nga ana tjetër, statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se stoku prej rreth 939 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 31 vende të Evropës. Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar, si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Itali, Greqi, Gjermani, Francë, si dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sipas të dhënave të fundit të raundeve të Censeve 2021, emigrimi në dekadën e fundit shënonte: 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Sipas të dhënave të raundit të censeve 2021, shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re. Rreth 41 % e tyre i përkasin grupmoshës 30-49 vjeç.
Shifrat tregojnë se femrat kanë një strukturë moshore me dominancë të lehtë në grup moshat nën 15 vjeç dhe 15-29 vjeç, sesa struktura moshore e meshkujve po në këto grup moshë. Meshkujt kanë një strukturë moshore me dominancë në përqindje më të lartë në grup moshën 50-64 vjeç, sesa struktura moshore e femrave po në këtë grup moshë.







