Nga Agron Haxhimali, kryetar i Institutit të Bashkive të Shqipërisë
Në Shqipëri, kur flasim për zhvillim lokal, shpesh flasim për reforma, projekte dhe buxhete. Por shifrat tregojnë një realitet më të thjeshtë dhe më të fortë: emigranti shqiptar kontribuon më shumë për qytetarin sesa pushteti vendor.
Në vitin 2024, remitancat arritën në 2.1 miliardë euro. Ndërkohë, buxheti i pushtetit vendor për vitin 2025 është rreth 1.2 miliardë euro. Me një popullsi prej 2.4 milion banorësh, kjo do të thotë se një qytetar shqiptar “përfiton” mesatarisht 875 euro në vit nga remitancat, kundrejt vetëm 500 euro nga buxheti vendor.
Ky raport nuk është thjesht një statistikë. Është një diagnozë.
Në Shqipëri, emigranti ka marrë rolin e një shteti social paralel: paguan shkollimin e fëmijëve, mbulon shpenzimet shëndetësore, financon ndërtimin, mban konsumin dhe shpesh edhe vetë bashkinë gjallë përmes ekonomisë lokale. Pa këto para, shumë familje dhe territore do të ishin në kolaps ekonomik.
Kjo nuk është një veçanti vetëm shqiptare. Në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut apo Serbi, remitancat për banor janë po aq të larta, shpesh edhe më të mëdha. Ballkani Perëndimor funksionon si një rajon ku zhvillimi i brendshëm mbahet nga jashtë.
Por Shqipëria dallon për një arsye: pushteti vendor është financiarisht i dobët. Me rreth 500 euro për banor në vit, bashkitë mezi arrijnë të ofrojnë shërbimet bazë, jo të nxisin zhvillim. Autonomia vendore mbetet më shumë formale sesa reale, ndërsa decentralizimi sherbimeve publike dhe ai financiar është i kufizuar.
Pas kësaj qëndron një problem më i thellë: një model ekonomik i brishtë, me produktivitet të ulët, treg pune jo konkurrues dhe mungesë besimi te institucionet. Kur shteti nuk ofron siguri dhe perspektivë, qytetari kërkon zgjidhje te familja dhe emigracioni.
Remitancat nuk janë zhvillim. Ato janë kompensim për mungesën e tij.
Nëse Shqipëria synon zhvillim të qëndrueshëm, nuk mjafton të falënderojmë diasporën. Duhet të ndërtojmë institucione që zëvendësojnë gradualisht rolin e emigrantit, jo ta normalizojnë varësinë prej tij. Përndryshe, rrezikojmë të mbetemi një vend që jeton nga largimi, jo nga ndërtimi i së ardhmes brenda vendit.







