Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, mori pjesë sot në eventin e mbylljes së projektit “ProTax Albania”. Të pranishëm në këtë event ishin dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Ervin Demo, Ambasadori i Suedisë në Tiranë, z. Niklas Storm, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, z. Arben Seferaj, Menaxheri i Projektit, z. Bjarni Sigurdsson, si dhe drejtues të disa bashkive në vend.
Në fjalën e tij, Ministri Malaj vlerësoi rëndësinë e projektit “ProTax Albania”, i cili është në linjë me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare, në kuadër edhe të procesit të integrimit të vendit në BE.
Qëllimi kryesor, tha z. Malaj, është garantimi i një taksimi të drejtë dhe efikas të pronës në Shqipëri, si dhe forcimi i rolit të bashkive për mbledhjen e kësaj takse shumë të rëndësishme.
Zbatimi i projektit synonte garantimin e reformës së taksës së pasurisë, bazuar në vlerën e tregut, krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe ndërtimin e Kadastrës Fiskale.
Ministri informoi se tashmë është përfunduar hartimi i projektligjit të ri për Taksën e Pasurisë, i cili do të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave, ndërkohë që është ngritur Kadastra Fiskale, me informacione të qendërzuara, bazuar në një sistem unik dhe me standarde europiane.
Megjithatë, z. Malaj tha se rrugëtimi drejt reformimit të plotë nuk ka përfunduar, ndërsa theksoi se Taksa mbi pronën duhet të jetë taksa më kontributive dhe më e rëndësishme për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Garantimi i mbledhjes së kësaj takse, tha z. Malaj, nuk duhet të konsiderohet vetëm si më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive, por më shumë shërbime për qytetarët, në më shumë investime publike, por mbi të gjitha në pavarësi financiare.
“Sot, të ardhurat nga kjo taksë në Shqipëri zënë rreth 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Burto, në një kohë kur vendet e Rajonit arrijnë të mbledhin të ardhura në rreth 0.8% të PBB-së. Objetivi ynë është që ta çojmë peshën e kësaj takse në rreth 1% të PBB-së, në linjë edhe me standardet që kanë vendet e OECD-së.”, u shpreh z. Malaj.
Ky objektiv, shtoi më tej Ministri, është tërësisht i realizueshëm dhe për këtë duhet një bashkëpunim akoma më i madh ndërinsitucional, e veçanërisht me Njësitë e Pushtetit Vendor.
Projektbuxheti 2026 ka parashikuar një rritje të mëtejshme të të ardhurave nga kjo taksë për llogari të bashkive në vlerën 10 miliardë lekë ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë sesa në vitin 2025. Por, pavarësisht se do të ketë një ligj të ri dhe Kadastra Fiskale funksionale, Ministri tha se kjo reformë nuk mund të materializohet pa angazhimin e plotë të bashkive për të garantuar zbatimin sa më efikas.







