Pavarësisht se pas vitit 2014 me ndryshimin e ligjit organik të buxhetit dhe një seri vendimesh dhe udhëzimesh bizneset e kanë të pamundur të ushtrojnë aktivitet nëse nuk paguajnë sigurimet e punonjësve, në realitet detyrimet në këtë zë po vijnë në rritje të shpejtë vit pas viti, teksa disa qarqe kanë tendence më të fortë për të mos paguar se disa të tjera më pak.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim në Institutin e Sigurimeve Shoqërore evidentoi se rajoni me numrin më të lartë të debitorëve mbetet Vlora, me rreth 7039 debitorë në 2024, ose 54 për qind të debitorëve të evidentuar në 12 drejtoritë rajonale të vendit me qendër qarku.
Edhe shuma e detyrimeve në këtë rajon është më e madhja në shkallë kombëtare, duke kaluar nga 2.92 miliardë lekë në vitin 2024 dhe përbën 56 për qind të detyrimeve totale në varësi të drejtorive rajonale.
Rritje të dukshme shënojnë gjithashtu Dibra dhe Elbasani, si në numër debitorësh, ashtu edhe në vlerën e borxhit. Në Dibër numri i debitorëve në 2024 shënoi rritje me 26 % dhe gjithashtu edhe detyrimet në vlerë u rriten. (shiko tabelën e mëposhtme)
Edhe në Elbasan numri i debitorëve u rrit me 20 % ndërmjet 2023 dhe 2024, me një zgjerim të detyrimeve nga 78.5 milionë lekë në mbi 81 milionë lekë më 2024.
Në rajone si Shkodra, Fieri dhe Gjirokastra raportohet rritje megjithëse shumat janë më të moderuara krahasuar me zonat e mëdha.
Në Shkodër, detyrimi arrin në 386.9 milionë lekë në fund të vitit 2024, ndërsa në Fier shuma ngjitet në 119.7 milionë lekë, vlera të ulëta në krahasim me qarqet e tjera që janë edhe më të vogla si në popullsi dhe punonjës.
Nga ana tjetër, disa rajone shfaqin rritje të më moderuar ose pothuajse të qëndrueshme, si Tirana, ku numri i debitorëve rritet lehtë nga 213 në 2023 në 249 vitin e kaluar. Ndërsa shuma e detyrimeve ngrihet arriti në 459milionë lekë me rritje të lehtë nga 2023.
Numri i debitorëve dhe shuma e detyrimeve të pashlyera për përfitimet nga sigurimet shoqërore është rritur pothuajse në të gjitha rajonet nga fundi i vitit vitin e kaluar.
Në total, numri i personave debitorë arriti në 12,801 në vitin 2024, një rritje 7%.
Paralelisht, shuma totale e borxhit në drejtoritë rajonale që nuk përfshijnë bizneset e mëdha u zgjerua nga rreth 4% vitin e kaluar, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të detyrimeve të akumuluara.
Në përgjithësi, të dhënat nxjerrin në pah një tendencë rritëse të borxheve për përfitime në të gjithë vendin, me disa rajone që mbajnë barrën më të madhe të detyrimeve të pashlyera. Vlora mbetet problematika kryesore, ndërsa Dibra, Elbasani dhe Shkodra tregojnë ritme të shpejta përkeqësimi. / B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






