Komisioni Hetimor i ngritur “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, ka bërë publik në mbledhjen e ditës së sotme planin paraprak të hetimit ndaj kreut të shtetit, Ilir Meta.
Në nisje të mbledhjes, Komisioni vendosi miratimin e “Planit Paraprak të Hetimit”, që përcakton veprimet hetimore që do të kryhen të bazuara në tri shtylla kryesore: objekti dhe baza ligjore, hapat proceduriale që do të ndiqen nga Komisioni, si dhe rrethi i personave të ngarkuar.
Kërkesa për shkarkimin e Metës u bë nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, pas vendimit të tij për të çdekretuar 30 qershorin si datë të paracaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
PLANI PARAPRAK I HETIMIT
Në mbështetje të nenit 77, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 11, pika 4 dhe të nenit 14, gërma “ç” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” si dhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 84/2019 “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore””, Komisioni vendosi të miratojë Planin Paraprak të Hetimit[1], i cili, në përputhje me objektin e hetimit, përcakton veprimet hetimore që do të kryhen, si më poshtë vijon:
KREU I
OBJEKTI DHE BAZA LIGJORE
Objekti i hetimit të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në vijim Komisioni, të ngritur me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 84, datë 08.07.2019, është:
Verifikimi i të dhënave, fakteve dhe rrethanave për veprime e mosveprime të Presidentit të Republikës, të cilat përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin e tij nga detyra, në përputhje me nenin 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Kontrolli i veprimtarisë së Presidentit të Republikës në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Baza ligjore e punës së këtij Komisioni do të jetë:
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
[1] Miratuar me vendimin e ndërmjetëm nr.2, datë 15.07.2019 të Komisionit Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”
Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.
Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Rregullorja e Brendshme e Komisionit.
KREU II
HAPAT PROCEDURIALE QË DO TË NDIQEN NGA KOMISIONI
Hapat proceduriale që do të ndiqen gjatë zhvillimit të hetimit janë:
Përgatitja dhe miratimi i Planit Paraprak të Hetimit.
Miratimi i Rregullores së Brendshme të Komisionit.
Njoftimi i Presidentit të Republikës në lidhje me të drejtën për t’u shprehur në Komision.
Marrja e të dhënave zyrtare dhe jozyrtare që njihen publikisht, nga institucionet, lidhur me objektin e hetimit.
Përgatitja dhe miratimi i Planit Përfundimtar të Hetimit.
Seanca dëgjimore me Presidentin e Republikës.
Verifikimi, shqyrtimi dhe analiza ligjore e provave, e rrethanave, e fakteve dhe i seancës dëgjimore, të dala nga hetimi i kryer.
Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar.
Paraqitja në Kuvend e raportit përfundimtar.
KREU III
RRETHI I PERSONAVE TË NGARKUAR
Anëtarët e komisionit
Stafi teknik, konsulentët, specialistët, sipas nevojës.
KRYETARI
ULSI MANJA