Progres-rekomandimet e fundit të Këshillit të Investimeve kanë nxjerrë në pah se çështjet e sigurisë së pronës dhe Kadastres Digjitale mbeten ndër më problematiket për zhvillimin e investimeve në vend. Sipas vlerësimit, këto fusha janë ndër më pak të avancuarat në zbatim, duke krijuar pasiguri ligjore dhe mungesë transparence për investitorët vendas dhe të huaj.
Këshilli thekson nevojën e menjëhershme për regjistrimin dhe publikimin e pronave publike dhe atyre të bashkive në ASHK, si dhe vendosjen e një Kadastre Digjitale plotësisht të aksesueshme, që do të garantonte informacion të saktë dhe të hapur për përdorim ekonomik. Po ashtu, mungesa e publikimit të fondit të pronave për investime strategjike vazhdon të kufizojë orientimin e investimeve dhe planifikimin afatgjatë.
Përveç çështjeve të pronës, rekomandimet evidentojnë një sërë sfidash të tjera që vazhdojnë të mbeten pa zbatim. Ndër më të rëndësishmet janë duke filluar nga hartimi i një strategjie kundër informalitetit, koordinimi më i mirë i investimeve publike midis nivelit qendror dhe vendor, si dhe fuqizimi i shoqatave të biznesit për të rritur rolin e tyre në advokim dhe konsultime publike.
Gjithashtu, Këshilli vë theksin te nevoja për një kulturë të re në menaxhimin e burimeve njerëzore, ku kapitali njerëzor të trajtohet si aset zhvillimi, si dhe te investimet në teknologji, automatizimi dhe rikualifikimi profesional. Rekomandohen gjithashtu stimuj fiskalë për kërkim dhe zhvillim, si dhe përmirësim i shkëmbimit të të dhënave me bashkitë, për të garantuar informacion të përditësuar për bizneset.
Sipas Këshillit të Investimeve, përparimi në zgjidhjen e çështjeve të pronës dhe digjitalizimit të të dhënave mbetet kusht themelor për ngritjen e një mjedisi më të sigurt, më transparent dhe më tërheqës për investime në Shqipëri./Tv Scan





