Qeveria shqiptare ka rritur mbështetjen financiare për gratë dhe vajzat vitin e ardhshëm. Buxheti i vitit 2026 ofron buxhetimin gjinor në programet e tyre, me një total prej mbi 84 miliardë lekësh, që përfaqëson 9.5% të buxhetit kombëtar. Strategjia Kombëtare e Barazisë Gjinore 2021-2030, e cila përfshin pesë shtylla kryesore veprimi, do të vijojë të zbatohet përmes programeve konkrete në sektorë si arsimi, shëndetësia, drejtësia, bujqësia dhe kultura.
Në sektorin e shëndetësisë, për herë të parë do të financohet plotësisht ndërhyrja kirurgjikale për rikonstruksionin e gjirit për pacientet me kancer, nga e cila pritet të përfitojnë rreth 350 gra në vit. Po ashtu, do të zgjerohet mbulimi i shërbimeve për nënat dhe bebet, si dhe programet e depistimit të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës.
Në arsim, prioritet do të jetë mbështetja e vajzave nga zonat rurale dhe familjet në nevojë, me rreth 220 mijë nxënës që do të përfitojnë libra falas.
Në punësim dhe mbrojtje sociale, do të rritet ndihma financiare për gratë kryefamiljare, nënat me shumë fëmijë dhe gratë e moshuara, me synimin për të zbutur pasojat ekonomike të inflacionit dhe për të lehtësuar riintegrimin në tregun e punës.
Gratë fermere do të kenë më shumë mundësi për të përfituar nga skemat e mbështetjes në bujqësi dhe për të marrë këshillim profesional, ndërsa në kulturë, prioritet do t’u jepet artisteve dhe artizaneve që promovojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.
Në drejtësi, do të zgjerohet ofrimi i ndihmës ligjore falas për gratë dhe vajzat në nevojë, si dhe programet e rehabilitimit për gratë që vuajnë dënime. Nga ana tjetër gratë e dhunuara, të cilat përbëjnë rreth 47% të përfituesve, do të vijojnë të mbështeten nga shërbimet sociale.
Qeveria thekson se këto masa janë në përputhje të plotë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, duke synuar një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse ku çdo grua dhe vajzë të ketë mundësinë të kontribuojë e të zhvillohet në mënyrë të barabartë.
Barazia mes burrave dhe grave është një problem që shfaqet aktualisht në një pjesë të madhe të vendeve, veçanërisht atyre në zhvillim si Shqipëria. Kjo pasi paraja dhe pushteti mbeten domen i burrave dhe në shoqëri patriarkale kjo është edhe më e theksuar.
Por gjatë viteve të fundit, në vendin tonë situata është zbutur dhe gratë po fitojnë terren në shumë fusha. Kjo falë edhe programeve që adresojnë qartë problemet e barazisë gjinore, që në Shqipëri janë hartuar me asistencën e ofruar nga UN Women. Falë këtij bashkëpunimi janë identifikuar dhe asistuar projekte, që realisht japin rezultatet të prekshme në buxhetimin gjinor.






