• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Ekonomi

Ekonomia e luftës

nga Fast News
3 minutes më parë
në Ekonomi
0
Ekonomia e luftës
152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Për të plotësuar kriterin e anëtarësimit në NATO për financimin me 5% të PBB-së të sektorit të Mbrojtjes, qeveria jonë duhet të gjenerojë së paku 180 milionë euro fonde shtesë në vit deri në 2035. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se 3.5% të PBB do të shpenzohen për kapacitetet e mirëfillta të mbrojtjes, ndërsa 1.5% e PBB do të shpenzohen për infrastrukturën e mbrojtjes, forcimin e qëndrueshmërisë si dhe realizimin e projekteve konkrete si Korridori VIII dhe Porti i Porto Romanos (Bashkëfinancim me NATO-n). Një pjesë e fondeve do të përdoren për investime në infrastrukturë, por do të kanalizohen nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes. Nga ana tjetër, planet e reja për ushtrinë synojnë të ringjallin prodhimin dhe të angazhojnë punë me vlerë të lartë në prodhimin e municioneve, dronëve dhe rrobave për ushtrinë. Ekonomia e luftës synon rritjen e punësimit në industrinë ushtarake dhe eksportet

 

Qeveria duhet të rrisë me më shumë se dyfishi shpenzimet për forcat e luftimit dhe mbrojtjes së vendit si pjesë e detyrimeve që lindin nga anëtarësimi në NATO deri në vitin 2035.

Në samitin e NATO-s që u mbajt në Hagë në qershor të këtij viti, udhëheqësit e vendeve anëtare ranë dakord për një objektiv të ri, të arrijnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në shpenzime për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035.

Një rishikim për progresin e arritur do të kryhet në vitin 2029, për të vlerësuar përparimin dhe për të përshtatur objektivat sipas nevojave.

Ministria e Mbrojtjes e konfirmoi për “Monitor” këtë angazhim duke pohuar se ka plan konkret mbi mënyrën e shpërndarjes së 5% të PBB. Nga këto, 3.5% të PBB do të shpenzohen për kapacitetet e mirëfillta të mbrojtjes, ndërsa 1.5% e PBB do të shpenzohen për infrastrukturën e mbrojtjes, forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe realizimin e projekteve konkrete si Korridori VIII dhe Porti i Porto Romanos (Bashkëfinancim me NATO-n), si dhe projekte të tjera në funksion të përmirësimit të infrastrukturës dhe aseteve ajrore.

Shpjegimi i Ministrisë së Mbrojtjes la të kuptojë se sërish një pjesë e fondeve do të përdoren për investime në infrastrukturë, por do të kanalizohen nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes.

Për shembull, kur Bashkimi Europian e klasifikoi Korridorin VIII në rrjetin kryesor europian, një nga arsyet është rritja e depërtimit të NATO-s më shpejt në lindje nga ky aks. Për shkak të rëndësisë që ka për forcat tokësore të ushtrisë, Korridori VIII mund të financohet nën ombrellën e fondeve të mbrojtjes.

Këtë vit, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes përfshin një shumë prej 52,8 miliardë lekësh, ose rreth 530 milionë euro. Kjo shumë është sa 2% e PBB dhe sa 6.4% e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Për të plotësuar angazhimet e NATO-s, buxheti i mbrojtjes duhet të arrijë 170 miliardë lekë më 2035 nëse konsiderojmë një rritje mesatare të PBB 3.5% (sipas skenarit bazë të institucioneve financiare ndërkombëtare) në 10 vitet në vijim, nga 52 miliardë lekë aktualisht.

Për të arritur këtë kriter, qeveria duhet të rrisë së paku me 17 miliardë lekë në vit, ose 180 milionë euro, financimet për mbrojtjen duke vënë në një presion të fortë financimet që kërkojnë sektorët e tjerë që nga bujqësia, arsimi dhe shëndetësia.

Zbatimi i këtij kriteri ka nisur të krijojë problematika edhe në vendet e zhvilluara si Franca, ku rritja e fondeve për ushtrinë po bëhet në kurriz të mbrojtjes sociale, duke u bërë shkak për trazira dhe destabilitet politik.

 

Ushtria si do rriten fondet publike

Buxheti për ushtrinë shënoi rekord historik këtë vit në rreth 530 milionë euro, më i madhi në vitet e tranzicionit. Fondet u rritën me shpejtësi vitet e fundit, nisur nga presioni mbi detyrimet që vijnë nga anëtarësimi në NATO.

Në vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes u rrit me 8.2% në krahasim me 2023, duke zënë 2% të PBB-së. Ndërmjet 2019-2025, fondet për Ministrinë e Mbrojtjes janë rritur me 142%.

Rritja do të jetë e fortë edhe në vitet në vijim, për të arritur në 170 miliardë lekë në vitin 2035 (1.7 miliardë euro). Shpenzimet për ushtrinë do të vijnë të tretat në hierarkinë e shpenzimeve publike pas fondit të pensioneve dhe atij të pagave. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Financave, po shihen mjete të tjera të tilla si rritja administrimit tatimor për të gjeneruar të ardhura shtesë ndaj ushtrisë.

Në kapacitetet e financave publike shqiptare, financimet për mbrojtjen janë të larta, por në kushtet që është ushtria shqiptare, aktualisht shuma që kërkohet është e pamjaftueshme për ta bërë ushtrinë tonë konkurruese në Rajon.

Shqipëria nuk ka flotë ajrore ushtarake, detare etj. Burimet nga forcat e luftimit pohojnë se ushtria jonë vuan mungesën e burimeve njerëzore dhe aftësitë në disa pika kyçe. Emigrimi i të rinjve ka krijuar zbrazëti dhe forcat e ushtrisë janë drejt plakjes. Megjithëse ushtria funksionon sipas sistemit me pagesë, nuk ka të interesuar nga të rinjtë.

Ministria e Mbrojtjes pohoi se industria ushtarake shqiptare po kalon nga një fazë pasive në një rol aktiv dhe prodhues. Për të arritur kriterin e NATO-s, Ministria e Mbrojtjes sqaroi se ka zgjedhur një model ku në bazë të tij qëndron Partneriteti Publik-Privat.

Në fund të vitit të kaluar, qeveria krijoi kompaninë e saj KAYO, e cila në bashkëpunim me kompani të tjera private ose publike të mund të aktivizojë sektorin e prodhimit për ushtrinë që nga veshjet deri tek armët dhe dronët.

Në këtë mënyrë, Ministria e Mbrojtjes hyn nëpërmjet KAYO si operator në tregun e armatimeve duke zgjeruar mundësitë për përfitime ekonomike nëpërmjet zgjerimit të eksporteve dhe punësimit me vlerë të lartë.

Investimet e mëdha nga Porto Romano në bazën ajrore të Kuçovës

Në një kohë kur siguria dhe modernizimi i Forcave të Armatosura po bëhen prioritet kombëtar, Shqipëria ka nisur një cikël të gjerë investimesh në mbrojtje, me vlerë qindra milionë euro në dekadën në vijim.

Sipas të dhënave zyrtare, një hap i madh drejt forcimit të kapaciteteve detare është edhe ndërtimi i portit ushtarak në Porto Romano, me vlerë prej 366 milionë eurosh, sipas të dhënave nga dokumentet e politikave prioritare të qeverisë shqiptare.

Ndërsa shpenzimet për mbrojtjen ajrore do të përforcohen me sistemet ku shpenzimet kryesore arrijnë 205 milionë euro, kryesisht pas vitit 2027.

Kapacitetet detare do të forcohen gjithashtu me blerjen e anijeve patrulluese 100 milionë euro dhe modernizimin e helikopterëve “Black Hawk” dhe infrastrukturës përkatëse, 120 milionë.

Në të njëjtën kohë, baza ajrore e Kuçovës po rikonvertohet në një qendër moderne operative të NATO-s, me kosto rreth 50 milionë euro, ndërsa siguria kibernetike forcohet nëpërmjet Njësisë së Sigurisë Kibernetike Ushtarake 8.4 milionë euro dhe investimeve në teknologji të avancuara nëpërmjet Security & Defense innovation Center.

Krijimi i kompanisë shtetërore KAYO sh.a., me kapital fillestar 1.5 milionë, synon ringjalljen e industrisë kombëtare të mbrojtjes, duke përfshirë partneritetin me privatët për zhvillimin e infrastrukturës për prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve në Pashaliman.

Nga lista e investimeve publike në proces 2025-2027, e miratuar nga Kuvendi, në fushën e Mbrojtjes janë planifikuar rreth 1 miliard euro investime, nga të cilat 47,5 miliardë lekë ose 475 milionë euro janë investime të brendshme dhe 43.7 miliardë lekë ose 437 milionë euro janë investime të huaja.

Shumica e fondeve mbi 70% shkojnë për mbështetjen forcave të luftimit, teksa një pjesë tjetër kanalizohet dhe në emergjencat civile, investimet në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë në ushtri.

Bizneset që po lindin nga ushtria

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria themeloi kompaninë KAYO sh.a. me aksione shtetërore. Qeveria i alokoi kompanisë 150 milionë lekë (rreth 1.5 milionë euro) si kapital fillestar për funksionimin e KAYO-s, pjesë e një pakete më të madhe prej 440 milionë lekësh për ristrukturimin e sektorit të mbrojtjes.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon që KAYO të krijojë bashkëpunime me sektorin privat, ku do të detyrohet të kontribuojë me pasuri të paluajtshme jo më pak se 20,000 m², për formimin e një shoqërie të përbashkët tregtare, dhe të kryejë një investim minimal prej 15 milionë euro brenda tre viteve.

Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve. Shoqëria ndjek interesa ekonomike dhe tregtare.

Vetë kompania shtetërore KAYO sh.a. ka themeluar tre kompani të reja në industrinë e mbrojtjes. E para është TIMAK DEFENCE, kompani private në 80% të aksioneve, ndërsa 20% janë në pronësi të KAYO.

Objekti i veprimtarisë së TIMAK DEFENCE është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike të posaçme.  Gjithashtu KAYO ka bashkëthemelues një privat M.K.D, e cila ka kontribuar me teknologji dhe ekspertizë në fushën e prodhimit të armëve dhe municioneve. M.K.D. do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe të mesëm, sipas standardeve të NATO-s.

Gjithashtu KAYO është aksionere në kompaninë GUNA TACTICAL.

Kjo kompani është themeluar në bashkëpunim me një tjetër subjekt privat MSSC, e cila ka 49% të aksioneve dhe KAYO, 51%. GUNA TACTICAL do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e armëve të lehta dhe pajisjeve taktike për përdorim nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë, sipas të dhënave të saj nga ekstrakti në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se zhvillimi i industrisë ushtarake gjeneron efekte shumëfishuese në sektorë të tjerë të ekonomisë nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës në prodhim, inxhinieri, logjistikë dhe teknologji. Zhvillohet industria civile në mbështetje të zinxhirëve të furnizimit të industrisë ushtarake dhe rigjallërimi i zonave industriale të lëna pas dore, si Rubiku, Shkoza, Poliçani dhe Gramshi.

Paralelisht me këto zhvillime, rritet vlera e pasurive, pasi investimet publike dhe private rrisin vlerën e pronave dhe nxisin zhvillimin urban. Ndërkohë rritet kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar, nxitet arsimi profesional dhe bashkëpunimi me institucionet arsimore.

Ajo kontribuon në diversifikimin e ekonomisë kombëtare, rritjen e eksporteve me vlerë të shtuar dhe forcimin e sovranitetit ekonomik dhe teknologjik.

Si në sektorë të tjerë të prodhimit, edhe në ato të ushtrisë, Shqipëria është interesante edhe për faktin se ka trashëgimi të bazave nga komunizmi, por mungesa e të rinjve dhe sidomos atyre me njohuri të posaçme, mund të pengojnë synimet për këto biznese.

Çfarë përfshihen te shpenzimet e mbrojtjes sipas NATO-s

Në buxhetin e shtetit në vendin tonë, sektori i mbrojtjes përfshin një gamë të gjerë zërash buxhetorë të klasifikuar sipas standardeve të Klasifikimit Funksional të Shpenzimeve të Qeverisë, të harmonizuara edhe me metodologjinë e NATO-s.

Për raportimin e shpenzimeve të mbrojtjes nuk kufizohen vetëm tek ushtria apo armët, por përfshijnë gjithçka që lidhet me kapacitetet mbrojtëse, sigurinë kombëtare dhe infrastrukturën kritike dhe emergjencat civile.

Personeli ushtarak dhe civil

Në këtë përfshihen pagat dhe shpërblime për efektivët e Forcave të Armatosura (FA) dhe stafin civil, Kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët. Shpenzimet për trajnime, shkollime dhe kualifikime brenda dhe jashtë vendit.

Pensionet suplementare për ushtarakët (dalja në pension të parakohshëm për shkak të shërbimit). Në raportimet ndaj NATO-s, kjo kategori përfaqëson zakonisht 40–45% të totalit të buxhetit të mbrojtjes.

Teknologjia, logjistika dhe infrastruktura

Në këtë kategori shpenzimesh përfshihen fondet për blerje armësh dhe pajisjesh (automjete, artileri, sisteme komunikimi, avionë, anije etj.). Modernizimi i teknologjisë për radarë, dronë, sisteme mbrojtjeje ajrore.

Projekte të përbashkëta NATO (p.sh., blerje nëpërmjet mekanizmave të përbashkët të aleancës). Për Shqipërinë, shpenzimet në logjistikë janë rritur më shumë vitet e fundit, për shkak të presionit të NATO-s për modernizim.

Në këtë kategori përfshihen ndërtimi dhe rehabilitimi i bazave tokësore, ajrore dhe detare, investime në tunele, depo municionesh dhe logjistikë. Projekte me përdorim të përbashkët NATO (si Pashalimani, Zall-Herr, Kuçova). Përfshihet gjithashtu modernizimi i rrugëve, urave, porteve për nevoja strategjike.

Operacione, stërvitje dhe mirëmbajtje

Në këtë seksion shpenzimesh përfshihen stërvitjet kombëtare dhe ndërkombëtare në kuadër të NATO-s dhe BE-së. Mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake, avionëve, anijeve dhe sistemeve teknologjike. Operacionet paqeruajtëse jashtë vendit (p.sh. Afganistan, Mali, Letoni) dhe shpenzime për komandë dhe kontroll.

Shpenzime për sigurinë kibernetike dhe inteligjencën

Zhvillimi i sistemeve kibernetike mbrojtëse për rrjetet qeveritare dhe ushtarake. Financimi i Qendrës së Sigurisë Kibernetike pranë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimet e Inteligjencës Ushtarake (në raportimet e NATO-s përfshihen si pjesë e shpenzimeve të mbrojtjes).

Gjithashtu Shqipëria duhet të paguajë kuotën vjetore për NATO-n. Të marrë pjesë në financime të përbashkëta të aleancës (p.sh. NATO Security Investment Programme – NSIP) dhe të marrë pjesë në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare.

Në shpenzimet për mbrojtjen futen edhe kërkime shkencore dhe zhvillim teknologjik në bashkëpunim me NATO-n dhe BE-në dhe projekte për armatim inteligjent, sensorë, teknologji dronësh, etj.

Shpenzimet për emergjencat civile

Ky është një element i ri pas vendimit të samitit të NATO-s në Hagë (2025), ku u vendos që 1.5% e PBB-së do të shkojë për investime strategjike.

Një pjesë e fondeve do të shkojnë për sisteme paralajmërimi të hershëm për fatkeqësi natyrore, menaxhimi i krizave dhe emergjencave kombëtare dhe sigurimi i infrastrukturës kritike (rrjet energjie, komunikime, transport).

Detyrimi për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së vjen si pjesë e strategjive të sigurisë kolektive dhe përballjes me sfida gjeopolitike, por për shumë qytetarë, kjo rritje është një barrë e rëndë në një kohë kur nevojat për investime në shëndetësi, arsim, pensione dhe mbrojtje sociale janë më urgjente se kurrë.

Shqipëria është vend me të ardhura të ulëta mesatare dhe kapacitete të kufizuara buxhetore, ndaj çdo qindarkë e shtuar për armatime, baza ushtarake apo sisteme të reja mbrojtjeje shoqërohet me kosto të dukshme për mirëqenien e qytetarëve.

Si u transformua ushtria drejt standardeve të NATO-s, sfidat

Që nga vitet ’90, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë kaluar një transformim të thellë, duke u shndërruar nga një ushtri masive e regjimit komunist në një forcë të vogël, profesionale dhe të përshtatur me standardet e NATO-s. Aktualisht, ushtria numëron rreth 6,500 ushtarakë aktivë, ndërsa rezervistët mbeten të kufizuar të bazuar vetëm mbi vullnetarizmin.

Struktura e ushtrisë përfshin Forcat Tokësore, Forcat Detare, bazuar kryesisht në Pashaliman dhe Durrës, si dhe Forcat Ajrore me kapacitet të kufizuar për patrullim, pa avionë luftarakë.

Njësi si Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe batalionet e mbështetjes, logjistikës dhe inxhinierisë sigurojnë pjesëmarrje aktive në misione ndërkombëtare dhe operacione NATO. Pajisjet e ushtrisë përfshijnë armë të standardizuara me NATO-n, transportues të blinduar, mjete lundruese dhe dronë vëzhgimi, ndërsa për teknologji moderne, vendi ynë mbetet pas.

Integrimi në NATO që nga viti 2009 ka sjellë trajnime të standardizuara, pjesëmarrje në sisteme mbrojtjeje kolektive dhe mbështetje teknike ndërkombëtare.

Megjithatë, ushtria shqiptare ka kufizime të dukshme sidomos mungesën e avionëve luftarakë, sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore dhe artilerisë së rëndë, që e bën vendin të varur nga aleatët për kapacitete strategjike.

Logjistika për operacione të gjata, infrastruktura e fragmentuar dhe mungesa e kuadrove të reja në fusha teknike si IT ushtarak dhe mbikëqyrje kibernetike janë problematika të mëdha të ushtrisë sonë.

Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ushtria shqiptare është më e vogël.

Ndërsa shtetet si Serbia dhe Kroacia mbajnë ende struktura më të mëdha me kapacitete të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe artilerisë, Shqipëria ka zgjedhur të specializohet në një forcë të vogël, të trajnuar mirë dhe fleksibël për operacione të shpejta, pjesëmarrje në misione ndërkombëtare dhe mbështetje emergjente.

Koordinimi i ngushtë me NATO-n i jep avantazh ushtrisë shqiptare në operacione kolektive dhe misione ndërkombëtare, krahasuar me fqinjët./Monitor

Etiketa: aktualitet
Pas

20 sjellje që ju ndihmojnë të rrisni vetëbesimin

ADVERTISEMENT

Të Gjitha

Ekonomia e luftës

Ekonomia e luftës

nga Fast News
13:15 | 19/10/2025
0

20 sjellje që ju ndihmojnë të rrisni vetëbesimin

20 sjellje që ju ndihmojnë të rrisni vetëbesimin

nga Fast News
12:45 | 19/10/2025
0

“Faktorët politikë, social dhe ekonomik”, ish-ministri i Financave tregon shkaqet e shpopullimit

“Faktorët politikë, social dhe ekonomik”, ish-ministri i Financave tregon shkaqet e shpopullimit

nga Fast News
12:05 | 19/10/2025
0

Rama jep lajmin: Qeveria do rindërtojë dhe godinat e drejtësisë

Rama jep lajmin: Qeveria do rindërtojë dhe godinat e drejtësisë

nga Fast News
11:36 | 19/10/2025
0

Recent News

Ekonomia e luftës

Ekonomia e luftës

13:15 | 19/10/2025
20 sjellje që ju ndihmojnë të rrisni vetëbesimin

20 sjellje që ju ndihmojnë të rrisni vetëbesimin

12:45 | 19/10/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar