• Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
Nuk ka rezultat
View All Result
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Logo LIGJET E BIZNESIT


Fillimi Ekonomi

Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit

nga Fast News
5 hours më parë
në Ekonomi
0
Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit
152
SHPERNDAJ
1.9k
Klikime
Share on FacebookShare on Twitter

Banka e Shqipërisë ka tërhequr rreth 914 milionë euro valutë nga tregu gjatë vitit 2024, me qëllim frenimin e zhvlerësimit të monedhës europiane. Me ritme të ngjashme po vijohet edhe gjatë këtij viti. Këtë fakt e ka bërë të ditur guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të BSH-së për vitin 2024 në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

“Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative apo rritjeje të volatilitetit të kursit”.

Sejko, në tematikën për  ekonominë, inflacionin dhe politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, tha se sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4% gjatë vitit 2024, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe nga rritja e mëtejshme e të ardhurave të turizmit.

Kahu pozitiv i zhvillimit të ekonomisë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025, me një rritje ekonomike prej 3.6% për gjashtëmujorin e parë të vitit. Kjo ecuri pasqyron kontributin e disa faktorëve, ndër të cilët gjej me vend të nënvizoj gjendjen e mirë financiare të sektorit privat, klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit. Nga ana tjetër, kërkesa e lartë e brendshme ka sjellë rritjen e importeve, ndërkohë që eksportet e mallrave janë frenuar.

Ky frenim ka pasqyruar rënien e çmimeve dhe ngadalësimin e tregtisë botërore, problemet specifike të disa sektorëve eksportues, si dhe rritjen e kostove të prodhimit në përgjigje të rritjes së pagave dhe të forcimit të kursit të këmbimit. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit.

Rritja e kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua dhe në tregun e punës. Sipas të dhënave të Instat-it, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% gjatë vitit 2024 dhe 4.3% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, ndërsa norma e papunësisë regjistroi minimume historike, prej respektivisht 8.8% në vitin 2024 dhe 8.5% në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Rritja e kërkesës për punë nga bizneset dhe mungesa e fuqisë punëtore, kanë sjellë rritjen e pagave në sektorin privat, me një mesatare vjetore prej 8.6% për vitin 2024 dhe 9.5% për gjashtëmujorin e parë 2025.

Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie, duke zbritur nga niveli mesatar prej 4.8% në vitin 2023, në 2.2% për vitin 2024 dhe tre tremujorët e parë të vitit 2025. Reduktimi i inflacionit është nxitur nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, forcimi i kursit të këmbimit dhe zbatimi i një politike monetare proaktive e të balancuar. Për rrjedhojë, inflacioni i importuar ka shënuar një rënie të shpejtë, ndërsa presionet nga ekonomia vendase janë në linjë me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve.

Sejko theksoi se balancat e brendshme dhe të jashtme të ekonomisë janë përmirësuar, ndërsa kapacitetet e vendit për të përballuar goditje potenciale janë forcuar. Në këtë kontekst, ai veçoi tre zhvillime të rëndësishme:

–    Së pari, pozicioni i jashtëm i ekonomisë është konsoliduar, falë rritjes së mëtejshme të eksporteve, remitancave dhe investimeve të huaja direkte. Gjatë vitit 2024, eksportet totale shënuan vlerën e 9.1 miliardë eurove, duke u rritur me 11% krahasuar me vitin paraardhës, të nxitura nga të ardhurat nga turizmi në vlerën e 5 miliardë eurove.

Po ashtu, remitancat arritën 1 miliardë euro, ndërsa flukset hyrëse nga investimet e huaja direkte në 1.6 miliardë euro. Të tre këta tregues kanë vijuar të rriten edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2025: eksportet totale u rritën me 6.1%, remitancat me 4.3%, ndërsa investimet e huaja direkte me 1.1%.

Në tërësi, bilanci i shkëmbimeve tregtare e financiare me jashtë ka shënuar vlera të larta pozitive gjatë tre viteve të fundit. Deficiti i llogarisë korrente ka zbritur nga një nivel mesatar prej 1.2 miliardë eurosh në vitet 2020-2022, në 0.45 miliardë euro për vitet 2023-2024. Niveli i mbulimit të deficitit të llogarisë korrente nga investimet e huaja direkte ka arritur një mesatare prej mbi 200% gjatë dy viteve të fundit, çka ka gjeneruar një tepricë oferte në tregun e brendshëm dhe forcimin e kursit të këmbimit të Lekut.

Në pasqyrim të këtyre dinamikave, borxhi i jashtëm ra në 40.5% të PBB-së në tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 46.2% në fund të vitit 2023. Po ashtu, rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, një tregues kyç i qëndrueshmërisë financiare të vendit, i janë afruar nivelit 7 miliardë euro, duke ofruar një garanci të rritur për investitorët e huaj.

–   Së dyti, pozicioni fiskal është përmirësuar më tej, sikurse tregohet nga reduktimi i deficitit buxhetor dhe i borxhit publik, respektivisht në nivelet 0.7% dhe 53.8% të PBB-së për fundin e vitit 2024.

–   Së treti, sistemi bankar ka përmirësuar treguesit e qëndrueshmërisë dhe ka konsoliduar rolin e tij ndërmjetësues. Këto zhvillime kanë rritur aftësinë e sistemit bankar për të furnizuar ekonominë me fonde të qëndrueshme dhe me kosto të ulëta, si dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e përdorimit të instrumenteve moderne të pagesave.

Në pasqyrim të këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka njohur për herë të parë në historinë e saj post-tranzicion, përmirësim të vlerësimit të borxhit sovran nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, çka kontribuon në uljen e kostove të financimit në tregun e huaj për sektorin publik dhe atë privat.

“Kjo tablo dëshmon si kontributin e sektorit privat, ashtu edhe harmonizimin e mirë të politikave makroekonomike. Në veçanti, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka mundësuar vënien e inflacionit nën kontroll, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit”, tha Sejko.

Pas një faze normalizimi gjatë viteve 2022 – 2023, qëndrimi i politikës monetare u bë më akomodues gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 dhe vitit 2025. Kjo qasje u diktua nga nevoja për të rikalibruar kushtet monetare në një ambient me inflacion në rënie, në funksion të përmbushjes së objektivit tonë të inflacionit brenda një kohe sa më të arsyeshme dhe me një ndikim sa më minimal në ekonomi.

Në këtë kuadër, ne ndërmorëm dy ulje të normës bazë të interesit, duke e zbritur atë nga niveli 3.25% në fillim të vitit, në 2.75% në fund të vitit 2024 dhe në 2.5% në muajin korrik 2025.

Paralelisht me të, ne intensifikuam blerjet e valutës në tregun vendas, duke tërhequr thuajse 914 milionë euro prej tij gjatë vitit 2024 dhe duke vijuar me ritme të ngjashme edhe gjatë vitit 2025. Rritja e prezencës tonë në tregun valutor synon frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit të Lekut, qetësimin e tregut valutor, si dhe minimizimin e pasojave potenciale negative në stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, në rast krijimi të pozicioneve spekulative apo rritjeje të volatilitetit të kursit.

“Këto masa kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kushteve të financimit për familjet dhe bizneset. Normat e interesit të instrumenteve financiare në Lekë janë reduktuar, ndërsa kreditimi ka përfituar gjithashtu nga një qasje më pozitive e bankave ndaj sektorit privat.

Për rrjedhojë, kredia për sektorin privat është përshpejtuar, duke shënuar një rritje vjetore prej 15.7% në fund të vitit 2024 dhe 14% në tremujorin e tretë të vitit aktual. Kjo kredi ka mbështetur konsumin dhe investimet e sektorit privat, duke ruajtur një kompozim të mirë valutor dhe një cilësi të mirë të portofolit të kredisë”, tha Sejko.

Lidhur me mbikëqyren bankare dhe stabilitetin financiar, Sejko tha se ecuria pozitive e ekonomisë dhe e tregjeve financiare shqiptare gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të vitit 2025 u pasqyrua edhe në sektorin bankar. Ky sektor njohu rritje të aktivitetit bankar, të nxitur nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe zgjerimi i bazës së depozitave, si dhe përmirësim të treguesve të shëndetit financiar.

Për ilustrim, kapitalizimi i sistemit bankar ruajti nivele të larta, rreth 20.0%; treguesit e likuiditetit vijuan të qëndrojnë ndjeshëm mbi kërkesat tona rregullatore; ndërsa treguesit e rentabilitetit financiar të tij mbetën të kënaqshëm. Po ashtu, cilësia e kredisë vijoi të përmirësohet dhe treguesi i kredive me probleme zbriti në 4.0%, duke shënuar nivelet më të ulëta që prej vitit 2008.

Paralelisht me të, analizat tona periodike sugjerojnë nivele të kontrolluara të rreziqeve sistemike dhe testet e rezistencës së sistemit bankar tregojnë një aftësi të mirë përballimi të goditjeve të mundshme makrofinanciare.

Ai shtoi se sistemi bankar ofron instrumente të sigurta për ruajtjen e kursimeve, furnizon ekonominë me kredi dhe produkte bankare, si dhe shërben si një amortizues i goditjeve që mund të pësojë ekonomia.

“Në përmbushje të detyrave të saj ligjore për sigurimin e një sistemi bankar solid e të shëndetshëm, puna e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2024 u përqendrua në tre drejtime kryesore: (i) sigurimi i një kuadri rregullator mbikëqyrës efektiv, me qëllim identifikimin e hershëm dhe marrjen në kohë të masave për reduktimin e rreziqeve në aktivitetin e institucioneve që licencohen dhe mbikëqyren prej saj; (ii) hartimi dhe zbatimi i një politike të përshtatshme makroprudenciale, me qëllim kontrollin dhe parandalimin e rreziqeve sistemike; si dhe (iii) sigurimi i një kuadri funksional për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”. Sejko shtjelloi masat konkrete:

– Së pari, në funksion të forcimit të mbrojtjes së konsumatorit, gjatë dy viteve të fundit, ne kemi rishikuar plotësisht kuadrin rregullator për institucionet financiare jobanka dhe, në veçanti, për ato të mikrokredisë. Ndryshimet konsistuan në vendosjen e kritereve të reja për analizën financiare të individëve nga institucionet financiare jobanka, me qëllim mbrojtjen e tyre nga rreziku i pamundësisë për të shlyer detyrimet që rrjedhin nga huamarrja. Kriteret e vendosura sigurojnë një vlerësim të përshtatshëm të aftësisë paguese të individëve, duke marrë masa për kontrollin e kostove të tyre, si dhe synojnë minimizimin e rasteve të mbingarkesës së individëve me hua.

Gjithashtu, duke filluar nga janari 2022, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh rregullatore, të cilat kanë kufizuar nivelin maksimal të normës efektive të interesit (NEI) për secilën kategori të kredisë konsumatore. Falë zbatimit të këtij mekanizmi rregullator, gjatë periudhës 2022–2025, norma efektive mesatare maksimale e interesit është reduktuar ndjeshëm, pothuajse me tre herë. Gjithashtu u kufizua edhe niveli maksimal i penaliteteve që mund të përllogariten nga bankat dhe subjektet financiare jobanka, duke vendosur si tavan shumën 30% të këstit ose kësteve të papaguara të kredisë.

–  Së dyti, në kuadër të ndryshimit të raportimit financiar në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit, u ngrit një grup i posaçëm pune me qëllim rishikimin e plotë të kuadrit ekzistues të administrimit të rrezikut të kredisë, duke e përshtatur atë me standardet e reja dhe me praktikën e ndjekur nga institucionet evropiane.

–    Së treti, u hartua dhe u miratua rregullorja e re “Për administrimin e rrezikut operacional nga bankat, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike”, si dhe u rishikua ajo ekzistuese për institucionet jobanka dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Ky kuadër përmirëson dhe qartëson kërkesat mbikëqyrëse për institucionet që janë subjekt i këtyre rregulloreve, duke i përditësuar ato me standardet dhe praktikat më të mira të tregut, si dhe duke forcuar mbikëqyrjen në distancë. Të dyja këto rregullore janë të bazuara në standardet e rishikuara të Komitetit të Bazelit për administrimin e rrezikut operacional.

–    Së katërti, edhe gjatë vitit 2024 vijoi puna për plotësimin e kuadrit rregullator me synim përafrimin e tij me acquis të BE-së, nëpërmjet miratimit të akteve të reja apo rishikimit të atyre ekzistuese. Përtej administrimit të rrezikut operacional, të përmendur më lart, përmirësimet rregullatore dhe metodologjike prekën veprimtarinë e ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe kërkesat licencuese, mbikëqyrëse dhe të administrimit të rrezikut në veprimtarinë e subjekteve jobanka.

–    Së pesti, gjatë vitit 2025 ne kemi forcuar kërkesat për licencimin dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor, kryesisht në lidhje me reputacionin e mirë dhe integritetin e zotëruesve të kapitalit, përfshirë edhe pronarët përfitues, në kuadër edhe të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet ndërkombëtare, duke synuar dhe plotësimin e rekomandimeve të ekspertëve të Moneyval.

–    Së gjashti, ne kemi vijuar me ekzaminimet e bankave, institucioneve jobanka, shoqërive të kursim-kreditit dhe zyrave të këmbimit valutor. Ekzaminimet kanë pasur në fokus menaxhimin e rreziqeve, kryesisht ato të kredisë, zbatimin e praktikave më të mira në qeverisje, transparencën me klientët dhe rrezikun për pastrimin e parasë.

–    Së fundi, në zbatim të strategjisë së hartuar për përfshirjen e financës së gjelbër në proceset mbikëqyrëse, u hartua dhe u publikua për herë të parë udhëzuesi i kërkesave mbikëqyrëse për përfshirjen në proceset e brendshme të bankave të rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike.

Monitorim për ecurinë e tregut dhe e kredive për pasuri të paluajtshme

“Si aktor i rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit financiar të vendit, misioni i punës sonë është monitorimi i rreziqeve sistemike dhe hartimi e zbatimi i politikës makroprudenciale me qëllim zbutjen dhe parandalimin e tyre. Deri në fund të vitit 2024, të gjitha bankat kanë qenë e mbeten subjekt i shtesës konservuese të kapitalit, në nivelin maksimal prej 2.5%.

Në plotësim të tyre, gjatë vitit që shkoi, ne ndërmorëm për herë të parë rritjen e shtesës kundërciklike të kapitalit, me synim parandalimin e përhapjes së rreziqeve në sistem. Gjithsej u ndërmorën dy rritje, me nga 0.25% secila, të cilat kanë hyrë në fuqi gjatë vitit 2025”, tha guvernatori.

Një tjetër fokus i punës në kuadër të identifikimit të hershëm dhe adresimit të rreziqeve në sistemin bankar, ka qenë dhe ecuria e tregut dhe e kredive për pasuri të paluajtshme. Miratimi në vitin 2023 i rregullores “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për pasuri të paluajtshme”, i parapriu vendimmarrjes në muajin qershor 2025, për rregullimin uniform të rrezikut të ndërmarrë nga bankat dhe klientët, në procesin e dhënies së kredive hipotekare.

Ky rregullim prezanton në tregun shqiptar një instrument standard të bankave qendrore në vendet e zhvilluara, instrument i cili synon të kontrollojë dhe reduktojë rreziqet potenciale me të cilat mund të përballet sektori bankar nga ekspozimi i rritur ndaj kredive hipotekare.

Së fundi, në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, puna jonë u përqendrua në fuqizimin e aftësive për ndërhyrje dhe në përmbushjen e kërkesave minimale ndaj bankave për instrumentet e kapitalit dhe të detyrimeve të tjera. Paralelisht me to, ne kemi vijuar me plotësimin e kuadrit rregullator e metodologjik, si dhe me zhvillimin e kapaciteteve të bankave për vënien në zbatim të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Rreziqet

Sejko paralajmëroi se  rreziqet mbi të ardhmen nuk mungojnë. Në horizontin afatshkurtër, tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare mund të kenë pasoja potencialisht negative mbi rritjen ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend. Këto rreziqe duhen monitoruar në vazhdimësi, për t’i paraprirë – në rast materializimi të tyre – një përgjigje sa më të koordinuar dhe efektive të politikave makroekonomike.

Gjithashtu, ekonomia shqiptare vijon të përballet me sfida afatgjata, të cilat duhen adresuar me reforma të mëtejshme strukturore, për të mundësuar një rritje sa më të shpejtë e të qëndrueshme të vendit. Ndër këto sfida guvernatori evidentoi:

–   Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm gjatë dy dekadave të fundit. Ky progres e ka shndërruar atë në një vend me një nivel mesatar të ardhurash për frymë. Megjithatë, eksperienca botërore tregon se konkurrenca midis vendeve me nivel mesatar të ardhurash është më e fortë dhe se zhvillimi i mëtejshëm i vendit duhet të bazohet gjithnjë e më shumë te rritja e produktivitetit;

–    trendet e pafavorshme demografike nënkuptojnë plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës, në afatin e gjatë. Këto trende, të pranishme në të gjitha ekonomitë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian, tentojnë të frenojnë rritjen e produktivitetit dhe cenojnë qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve;

–    ekonomia shqiptare vijon të ketë një zhvillim të diferencuar të ekonomisë, në aspektin sektorial. Zhvendosja e resurseve njerëzore e financiare midis sektorëve ka ndihmuar rritjen ekonomike dhe ka sjellë një rritje të nivelit të përgjithshëm të produktivitetit në ekonomi. Megjithatë, gjetja e një ekuilibri të drejtë midis diversifikimit dhe specializimit të strukturës sonë ekonomike, mbetet një detyrë parësore, e cila duhet të mbahet në vëmendje si nga sektori publik dhe nga ai privat.

“Në vizionin tonë, reformat strukturore të nevojshme për të adresuar sfidat e mësipërme duhet të synojnë: (i) rritjen e produktivitetit, nëpërmjet investimeve të mëtejshme në arsim e shëndetësi, dhe përmirësimin e klimës së biznesit; (ii) ruajtjen e fokusit në zgjerimin e përmirësimin e gjithanshëm të infrastrukturës publike; (iii) promovimin e konkurrencës, ndër të tjera nëpërmjet reduktimit të mëtejshëm të informalitetit; (iv) nxitjen e investimeve të huaja direkte në sektorë strategjikë, si industria dhe energjetika; si dhe, (v) ruajtjen e fokusit në stabilitetin makroekonomik”, tha Sejko.

Etiketa: aktualitet
Pas

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi

ADVERTISEMENT

Të Gjitha

Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit

Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit

nga Fast News
16:48 | 13/10/2025
0

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi

nga Fast News
16:39 | 13/10/2025
0

Komisioni Evropian mbështet ‘EAGLE’, projektin e kabllit nënujor të grupit hungarez 4iG, investitorit të One Albania

Komisioni Evropian mbështet ‘EAGLE’, projektin e kabllit nënujor të grupit hungarez 4iG, investitorit të One Albania

nga Fast News
16:34 | 13/10/2025
0

Qeveria ndalon përdorimin e monopatinave elektrike, ministrja Koçiu shpjegon arsyet e vendimit

Qeveria ndalon përdorimin e monopatinave elektrike, ministrja Koçiu shpjegon arsyet e vendimit

nga Fast News
12:50 | 12/10/2025
0

Recent News

Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit

Zhvlerësimi i euros/ Guvernatori: Tërhoqëm 914 milionë euro nga tregu gjatë 2024-ës, vijojmë me ritme të ngjashme edhe këtë vit

16:48 | 13/10/2025
Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi

16:39 | 13/10/2025

Categories

  • Aktualitet
  • Analizë
  • Barazia Gjinore
  • Biznes
  • Bota
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar
  • Ekonomi
  • Finance
  • Lifestyle
  • LIGJET e BIZNESIT
  • Të gjitha
  • Teknologji
  • Uncategorized

Rreth nesh

Fast News Economy është portali dedikuar ekonomisë, që informon mbi zhvillimet e fundit nga vendi dhe bota. Lajme të shpejta, analiza, opinione, gjithcka që doni dhe duhet të dini nga ekonomia i gjeni këtu.
Fast News Economy portali i lajmit të shpejtë!
Fast News Economy

Mbështetur nga

Ky website mirëmbahet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast News Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Home
  • Biznes
  • Finance
  • Analizë
  • Teknologji
  • Logo LIGJET E BIZNESIT
  • Barazia Gjinore
  • Burime Njerëzore
  • Edukim Financiar