Komisioni Evropian do t’ua paraqesë javën e ardhshme 27 vendeve anëtare të BE-së një propozim për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, me qëllim për ta rritur trysninë mbi Kremlinin. Masat do të përfshijnë kufizime mbi naftën ruse, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar nga Evropa të mos blejë më naftë ruse.
Sanksionet për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia do t’i prekin gjithashtu më shumë banka, flotën e ashtuquajtur në hije të Kremlinit – transportin që Moska përdor për t’i shmangur sanksionet – kompani të vendeve të treta, si dhe vendosjen në listën e zezë të një numri individësh, veçanërisht atyre që konsiderohen përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Sipas analistëve dhe diplomatëve, mbetet të shihet nëse Brukseli do të arrijë t’i kufizojë vizat turistike për rusët dhe ta ndalojë lëvizjen e diplomatëve rusë brenda BE-së.
BE-ja po kërkon t’i bashkërendojë masat me SHBA-në, pasi javën e kaluar i dërguari për sanksione i BE-së, David O’Sullivan, shkoi në Uashington për t’i bashkërenduar masat ndaj Kremlinit, pas deklaratës së Trumpit se i kishte mbaruar durimi me homologun rus, Vladimir Putin.
Zyrtarë të BE-së theksojnë se thelbi i paketës së re të sanksioneve është vazhdim i rundeve të mëparshme. Kjo përfshin shënjestrimin e më shumë bankave ruse, përfshirë edhe ato rajonale, duke i shkëputur nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve bankare, SWIFT.
Paketa e sanksioneve do të godasë gjithashtu aftësinë e Moskës për të përdorur kriptovaluta dhe do të ndalojë shërbimin e më shumë anijeve të flotës ruse nën hije në Evropë. Aktualisht lista përfshin 444 anije, por BE-ja beson se Kremlini përdor të paktën dyfishin e tyre për të transportuar produktet e naftës së sanksionuara në mbarë botën.
Ndalja e rrjedhës së naftës ruse
Mund të ketë gjithashtu përpjekje për ta vënë në shënjestër kompaninë gjigante ruse të naftës, Lukoil, edhe pse disa shtete anëtare – kryesisht Sllovakia dhe Hungaria, që ende varen nga importet ruse – ka gjasa ta bllokojnë këtë.
BE-ja e ka bërë synim të vetin të çlirohet nga importet e energjisë ruse deri në vitin 2027, duke përdorur rregullat e tregut të brendshëm të bllokut, që kërkojnë një shumicë të kualifikuar, ndryshe nga njëzëshmëria e nevojshme për ligjet e zakonshme të sanksioneve.
Gjatë fundjavës, Trump deklaroi se është i gatshëm të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por Evropa duhet të veprojë njëkohësisht duke ndalur blerjen e naftës ruse.
“Evropa po blen naftë nga Rusia. Unë nuk dua që ata ta blejnë atë”, tha Trump më 14 shtator.
“Sanksionet… që ata po vendosin nuk janë mjaft të ashpra, dhe unë jam gati të vendos sanksione, por ata duhet t’i forcojnë masat e tyre në përputhje me ato që po bëj unë”, shtoi ai.
Masa të tjera të mundshme për energjinë përfshijnë kufizime ndaj rafinerive që eksportojnë naftë ruse në BE si dhe kompanive tregtare të vendeve të treta të përfshira në këtë tregti.
Megjithatë, BE-ja nuk do t’i përgjigjet thirrjes së Trumpit për të vendosur tarifa 100 për qind ndaj Indisë dhe Kinës për blerjen e naftës ruse.
Brukseli nuk është ende gati të sanksionojë vende të treta që ndihmojnë Moskën në luftën e saj në Ukrainë, por kompanitë nga këto shtete mund të jenë caku.
Ende mbetet e paqartë nëse paketa e re e sanksioneve do të përfshijë edhe Bjellorusinë.
Në rundet e mëparshme, BE-ja ka vendosur masa të ngjashme ndaj Moskës dhe Minskut, por meqë SHBA-ja kohët e fundit ka hequr disa sanksione ndaj Bjellorusisë në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve politikë, vendet e BE-së duhet të negociojnë për qasjen ndaj regjimit të Lukashenkos.
Kërkohet njëzëshmëri për heqjen e sanksioneve, prandaj Polonia dhe Lituania kanë sinjalizuar se nuk do të pranojnë lehtësim të masave kufizuese kundër Minskut.
Një tjetër propozim interesant, i hedhur fillimisht nga Republika Çeke më shumë se një vit më parë, është kufizimi i lëvizjes së diplomatëve rusë brenda BE-së. Ata do të mund të qarkullonin vetëm në shtetin ku janë të akredituar dhe për udhëtime të tjera do të duhej leje e veçantë.
Në praktikë, kjo është e vështirë të zbatohet për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare brenda Zonës Schengen. Ideja është që personi të shpallet persona non grata (i padëshirueshëm) dhe të dëbohet nëse kapet duke udhëtuar jashtë shtetit të akreditimit diplomatik.
Kufizimi i vizave turistike
Një tjetër çështje është se sa larg do të shkojë BE-ja lidhur me vizat turistike për qytetarët rusë.
Disa vende po bëjnë trysni për një ndalim të plotë, gjë që do të kërkonte një shumicë të kualifikuar prej 55 për qind të shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë.
Kjo vjen pasi disa vende të BE-së vunë re rritje të ndjeshme të turistëve rusë gjatë muajve të verës. Në shumë mënyra, kjo mund t’i përplasë vendet më të ashpra si shtetet baltike, nordike dhe Poloninë kundër vendeve jugore që varen më shumë nga turizmi.
Përfundimisht, kjo mund të përfundojë vetëm me një rekomandim të përgjithshëm nga Komisioni Evropian për të kufizuar lëshimin e vizave turistike nga shtetet anëtare.
BE-ja pezulloi marrëveshjen e lehtësimit të vizave me Rusinë kur ajo e nisi pushtimin e plotë në shkurt 2022 dhe publikoi udhëzime për mënyrën se si shtetet duhet të trajtojnë kërkesat për viza ruse.
Këto udhëzime theksonin se “aplikantët rusë për viza që udhëtojnë për arsye thelbësore, përfshirë anëtarë familjesh të qytetarëve të BE-së, disidentë, gazetarë të pavarur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut duhet të kenë mundësi të hyjnë në BE”.
Gjithashtu rekomandohej që “për qytetarët rusë që udhëtojnë për turizëm, një qasje shumë e rreptë është e justifikuar, pasi është më e vështirë të vlerësohet qëllimi i udhëtimit krahasuar me arsye të tjera (udhëtim pune, vizita familjare apo trajtim mjekësor)”.
Mund të ndodhë që blloku ta ashpërsojë këtë politikë edhe më tej nëse nuk arrihet marrëveshje për një ndalim të plotë të vizave turistike./ REL