Nga Auron Tare, studiues
Nëse dikush ka lexuar Homerin dhe ka ndjekur udhëtimin e heronjve të tij në hapësirat e Mesdheut, nuk do të habitej me vendet e shenjta të Iliadës që ndodhen në territoret e trashëguara që nga antikiteti, prej atyre që pretendojnë se janë të lashtë në këto troje: shqiptarët.
Dodona, orakulli i famshëm ku heronjtë e Luftës së Madhe mësuan për fatin e tyre, në Epirin antik, sot Janinë.
Nekromantia, tempulli i famshëm ku Odiseu shkoi për të takuar shpirtrat e prindërve të tij në Thesprotinë antike, Çamërinë e sotme.
Akeroni, lumi ku shpirtrat e të vdekurve kalonin me ndihmën e Karontit, në Thesprotinë antike.
Butrinti, ku trojanët ikanakë, të sjellë si skllevër nga biri i Akilit këmbe-shpejit, Neoptolemi flokëverdhë, ndërtuan një Trojë të Re. Atje ku Andromaka me kupën e verës në dorë dhe Heleni princëror mikpritën Enean, themeluesin e Romës.
Onkezmusi antik, Saranda e sotme, ku Ankisti, babai i Eneës, mbylli sytë dhe u varros në një tempull madhështor.
Tempulli i Poseidonit, ku lundërtarët bënin fli dhe hidhnin kupa me verë në det për të qetësuar Poseidonin plak, Ksamil i sotëm.
Kimaira, prej nga dilte zjarri dhe fuqia shkatërrimtare.
E sigurisht, shpella e Spilesë, ku Polifemi, ciklopi me një sy që jetonte në shpellë dhe kujdesej për delet e tij.
E pra, imagjinoni: poeti i parë i njerëzimit përshkruan në veprën e tij monumentale tempuj dhe vende antike për të cilat arti botëror ka dedikuar mijëra vepra, poezi epike, libra dhe studime. Të gjitha këto të trashëguara në territoret e dikurshme dhe të sotme të shqiptarëve, në Epirin antik.
Por mjafton të hedhësh një vështrim listës së mësipërme dhe të shikosh se si grekët modernë ruajnë sot vendet e Homerit: Dodonën, Nekromantinë, Akeronin. Me respekt, me dashuri, me seriozitet. Jo vetëm vende të shenjta antike, por thesare të turizmit kulturor.
Ndërkohë, vështro peizazhet homerike në Shqipërinë tonë: Butrinti dhënë të huajve, Onkezmusi i lipsur, shpartalluar dhe mbushur me beton, ku asnjë shenjë nuk tregon se ky qytet është pjesë e eposit homerik. Tempulli i Poseidonit, Ksamil i sotëm – një batërdí urbane. po ashtu , dhe kësaj verbërie nuk mund t’i shpëtonte as Shpella e Polifemit, Ciklopit mitik që u verbua nga Odiseu dinak.
Shpella e Polifemit në Spile, ku eposi homerik ende ruan gjurmët e saj, në një shtet tjetër do të ishte një thesar i paçmuar i kulturës, trashëgimisë dhe turizmit kulturor. Sot shpella e Spilesë, e harruar e kthyer ne parking ku lahen makinat e pluhurosura, është e rrethuarme zinxhire. Një indiferencë totale, një dështim i çdo institucioni kulturor dhe i çdo ministrie të turizmit që zderhallet në ahengjet e përvitshme provinciale, duke hedhur në tym para që nuk kanë asnjë vlerë.
Prandaj, për këto pamje trishtuese të këtij tempulli homerik, për të gjithë ata që mundën, por nuk deshën ta shpëtojnë këtë trashëgimi universale, për të gjithë ata që pretendojnë se mbrojnë kulturën, por në fakt nuk e duan, le të mbetet mbi ta Mallkimi i Polifemit.
Mallkimi i Polifemit
O, Poseidon flokëkaltër, mbajtës i dheut, dëgjomë,
nëse vërtet je ati im, dhe unë jam biri yt,
bëj që Odiseu, shkatërrimtari i Trojës dhe biri i Laertit,
kurrë të mos sosë në shtëpinë e tij në Itakë.
E nëse është shkruar të kthehet një ditë,
le të kthehet vonë, i mjerë, i rraskapitur,
pa shokë, mbi anije të huaj,
e në prag të shtëpisëku ta presin vetëm vuajtje e dhimbje.
(Kënga IX, vargjet 530-535, përkth. Spiro Çomora)