Përmirësohet situata në tregtinë e jashtme. Eksprotet janë rritur në korrik, teksa importet kanë rënë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në korrik eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekëve, duke u rritur me 5.7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 0.5 %, në krahasim me qershorin e këtij viti.
Importet e mallrave arritën vlerën 83 miliardë lekë, duke u ulur me 2.4 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 9.1 %, në krahasim me Qershor 2025. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 48 miliardë lekë, duke u ulur me 7.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur 17.3 %, në krahasim me qershorin e këtij viti.
Si periudhë 7-mujore, eksportet e mallrave arritën vlerën 239 miliardë lekë, duke u rritur me 2.6 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 515 miliardë lekë, duke u ulur me 2.1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 276 miliardë lekë, duke u ulur me 5.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Gjatë muajit Korrik 2025, në rritjen e eksporteve prej 5.7 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +12.8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1.2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0.8 pikë përqindje, etj. Negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8.0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -1.3 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij shtatëmujori janë rritur me 2.6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +9.2 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1.1 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6.3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0.7 pikë përqindje, etj.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve
Gjatë muajit Korrik 2025, në uljen e importeve prej 2.4 %, krahasuar me një vit më parë, kanë ndikuar negativisht grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2.0 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1.7 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: Ushqime, pije, duhan” me +0.9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0.7 pikë përqindje.
Si shtatëmujor, importet janë ulur me 2.1 %, krahasuar me shtatëmujorin e parë 2024. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1.8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1.2 pikë përqindje etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0.5 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0.3 pikë përqindje.