Ai sugjeron se për të shmangur një kolaps të mundshëm të rendit ekonomik global, është e nevojshme një rishikim i thellë i sistemit aktual dhe një “ribalancim i mire (optimal)” që do të krijonte një strukturë më të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjitha vendet.
Prej disa muajsh, bota e financave po zien nga debatet që kanë shpërthyer pas botimit të librit të fundit të Ray Dalio-s, Hoë Countries Go Broke (“Si falimentojnë shtetet?”). Në të, Dalio ofron një radiografi të ekonomisë amerikane dhe efektet zinxhir që ajo shkakton në ekonominë globale. Në qendër të analizës së tij qëndron koncepti i asimetrisë monetare botërore një realitet ku vendet me monedha rezervë ndërkombëtare, si SHBA-ja me dollarin, luajnë me avantazh të madh në tregtinë dhe financat e planetit.
Po kush është Ray Dalio, njeriu që lexon ekonominë si një orë e vjetër mekanike?
Lindur më 8 gusht 1949 në Queens të New York-ut, është një nga figurat më të mëdha të botës së financave moderne. I rritur në një familje të thjeshtë, babai muzikant xhazi, nëna amvise, ai nisi rrugëtimin drejt investimeve në moshën 12 vjeçare, kur bleu aksionet e para të Northeast Airlines me kursimet e punës si shpërndarës gazetash. Ky hap i vogël shënoi fillimin e një pasioni që do ta bënte miliarder.
Pas diplomimit në financë në Long Island University dhe një masteri në Harvard Business School, Dalio nisi punë në Wall Street. Në vitin 1975, nga apartamenti i tij, themeloi Bridgeëater Associates. Ajo që filloi si një konsulencë e vogël për biznese, brenda katër dekadash u kthye në fondin e investimeve më të madh në botë, me mbi 150 miliardë dollarë asete të menaxhuara dhe klientë që shtrihen nga qeveri të huaja deri te universitetet më prestigjioze.
Dalio nuk është thjesht një investitor i suksesshëm; ai është arkitekt i një filozofie menaxhimi që i ka bërë jehonë botës së biznesit: “transparencë radikale” dhe “mendje e hapur radikalisht”. Në Bridgeëater, çdo ide vlerësohet sipas meritës dhe çdo vendim peshohet në dritën e të dhënave dhe debateve të hapura. Ky stil, ndonëse i pazakontë, ka qenë pjesë e suksesit të kompanisë.
Dalio është edhe një autor bestseller-ësh. Libri i tij Principles: Life & Work (2017) është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe përdoret si manual vendimmarrjeje në kompani dhe universitete. Veprat e mëvonshme, Big Debt Crises (2018) dhe Principles for Dealing with the Changing World Order (2021), e pozicionuan atë si një analist të thellë të historisë ekonomike. Në librin më të ri, How Countries Go Broke (2025), ai bën një paralelizëm të guximshëm mes situatës aktuale globale dhe periudhës dramatike 1930–1945, duke analizuar se si borxhi i lartë, konfliktet e brendshme dhe rivalitetet gjeopolitike mund ta çojnë një vend drejt falimentimit.
Jashtë financave, Dalio është një filantrop i angazhuar. Përmes Dalio Foundation, ai ka dhuruar qindra milionë dollarë për arsimin, kërkimin mjekësor dhe ruajtjen e mjedisit detar. Pavarësisht pasurisë dhe ndikimit të tij, ai mbetet një figurë që e shikon ekonominë jo si një mister, por si një mekanizëm të ndërlikuar që, nëse e kupton, mund ta parashikosh.
Nga një djalosh me një aksion në dorë, te një nga mendjet më me ndikim në planet Ray Dalio është prova se vizioni, disiplina dhe analiza e ftohtë mund të ndryshojnë jo vetëm një jetë, por edhe mënyrën se si bota kupton paratë.
CILI ËSHTË PROBLEMI KRYESOR i POLITIKËS EKONOMIKE të SH.B.A-SË? (SIPAS DALIO-S)
Dalio paralajmëron se roli i dollarit si monedhë rezervë globale është në rrezik për shkak të politikave të konsumit të tepruar të SHBA-së dhe borxheve të mëdha që ajo ka akumuluar. Ai argumenton se është naive të besohet se vendet do të vazhdojnë të huazojnë SHBA-në, duke pritur që të paguhen me dollarë që mund të zhvlerësohen vazhdimisht? Sipas Dalios kjo situatë lidhet ngushtë me tre problem kryesore:
- Dominimi i dollarit si monedhë rezervë globale aktualisht, i jep SHBA-së një avantazh të madh në tregtinë dhe financat ndërkombëtare.
- Politikat monetare të SHBA-së dhe mbi të gjitha vendimet e Rezervës Federale (FED) kanë ndikim të madh në ekonomitë e tjera, duke krijuar varësi dhe paqëndrueshmëri në tregjet globale.
- Sfidat e vendeve në zhvillim ku asimetria e dollarit ose e euros shumë here krijon kushte që ato të përballen shpesh me vështirësi financiare pikërisht për shkak të politikave monetare.
Po cili është sygjerimi i Dalio-s, në këtë libër, për të evitur krizën potenciale globale? Ai sugjeron se për të shmangur një kolaps të mundshëm të rendit ekonomik global, është e nevojshme një rishikim i thellë i sistemit aktual dhe një “ribalancim i mirë (optimal)” që do të krijonte një strukturë më të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjitha vendet. Në bazë të kësaj ideje ai vendos dhe analizon konceptin e “Ciklit të Madh të Borxhit” (Big Debt Cycle), duke analizuar 35 raste të falimentimeve shtetërore gjatë 100 viteve të fundit. Identifikon pesë faza të një krize borxhi, duke përfshirë shenjat paralajmëruese, ecurinë eksplozive të tij dhe falimentimin e plotë ose të pjesshne të një vendi. Argjentina e viteve 80 dhe Greqia e vitit 2011 janë shembujt më konkret të tij.
Sot në SHBA dhe në të gjithë botën diskutimet ekonomike janë përqëndruar tek lufta tregtare (e ashtuquajtura lufta e tariave doganore). Ray Dalio thote se tarifat janë simptoma të një sëmundjeje shumë më të thellë, por jo kura e plotë e sherimit të saj.
Thelbi i problemeve të ekonomisë amerikane, sipas tij, nuk është tregtia e lirë. Për Dalio-n, problemi qëndron në vetë strukturën e sistemit ekonomik, në borxhin publik që është rritur pa kontroll, në politikën monetare që ka shtypur para për të mbuluar boshllëqet, në pabarazinë që ka arritur nivele të rrezikshme të konflikteve të mundshme sociale, dhe mbi të gjitha, në polarizimin politik që, hera heres, nuk arrinë të prodhojë zgjidhje afatgjata.
Në këtë kuptim, sipas Dalio-s, tarifat janë thjesht një instrument veprim i jashtëm për të shmangur përballjen me problemet me thelbesore të brendshme. Ato janë një lloj “faji i huaj”, por që nuk adreson thelbin, ose me sakte, rënien e konkurrueshmërisë për shkak të mungesës së investimeve në arsim, teknologji dhe infrastrukturë. Nga ana tjetër ,të shumta janë figurat që mbështesin tarifat dhe dobësimin e dollarit që po realizon presidenti Trump. Le të kujtojmë disa prej tyre shkurtimisht.
Peter Navarro ish-këshilltar i Trump për çështje tregtare, promovon politikat proteksioniste si mjet për të zvogëluar deficitin tregtar dhe për të ringjallur prodhimin amerikan.
Stephen Miran kryekëshilltar ekonomik i Shtëpisë së Bardhë në administratën Trump, argumenton se një dollar më i dobët ndihmon prodhuesit amerikanë të jenë më konkurencial në arenën ndërkombëtare dhe sugjeron shitjen e rezervave të arit për të financuar këtë politikë.
Scott Bessent ekonomisti më në zë aktualisht ne SH.B.A dhe Ministër Financash në administratën Trump, promovon tarifat si instrument për të ripajisur arenën industriale amerikane. Në një shkrim për Fox News, tha: “Aksesimi në mallra të lirë nuk është ëndrra amerikane.” Ndërkohë, ai është për një dollar të fortë, duke kundërshtuar linjën Trump – Vance për dobësimin e tij.
John R. Lott Jr në një opinion në New York Post, kritikon ekonomistët që i kishin mohuar avantazhet e tarifave dhe argumenton se tarifat mund të realizojnë përfitime strategjike dhe të ndihmojnë në arritjen e marrëveshjeve tregtare të favorshme, me kosto më të ulët se taksat e tjera dhe regullon balancimin e deficitit tregtar. Të ardhurat e 6 mujorit të parë të këtij viti tregojnë për një efekt pozitiv të tyre në të ardhurat buxhetore.
SHQIPËRIA NË PASQYRËN E RAY DALIO-s.
Edhe pse Ray Dalio nuk është marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë dhe nuk kemi informacion të saktë mbi njohuritë e tij për vendin tone, nisur nga tezat e tij, po synojmë të ndërtojmë një analizë hipotetike mbi mënyrën se si ai mund të vlerësonte zhvillimin e Shqipërisë, pas më shumë se tre dekadash tranzicion demokratik. Në këtë kuptim, ky reflektim përfaqëson një ushtrim konceptual që aplikon parimet e tij teorike në kontekstin e një shteti të vogël, pas një procesi zgjedhor shumë interesant, që i dha një mandate të katërt qeverisjeje PS me në krye Edi Ramën. Po të shihnim Shqipërinë përmes qasjes sistemike të Dalio-s, do të vizatohej një panoramë sfiduese e një vendi me rrezerva burimesh ende të paaktivizuara, i pozicionuar ndërmjet trashëgimisë të së kaluarës dhe aspiratës së fortë për integrim në Bashkimin Europian. Në këtë aspekt po filloj një dialog imagjinar me një nga personazhet më interesant të mendimit teorik, por dhe të praktikës ekonomike në vendim më të zhvilluar të botës. Duke lexuar dhe studiuar disa nga librat e tij po intervistoj në mënyrë imagjinare duke referuar përgjigjet, që ai ka dhënë, në shumicën e botimeve të tij, për këto probleme.
INTERVISTE IMAGJINARE ME RAY DALION
Pyetja 1: Si mund të zhvillohet më mirë ekonomikisht Shqipëria?
Unë mendoj se Ray Dalio beson se vëndet e vogla si dhe ato të mëdha, evoluojnë në cikle të përsëritura historike. Ai nuk e sheh rënien e një shteti si një fatkeqësi e papritur, por si pasojë e grumbullimit të problemeve të brendshme që minojnë strukturën e tij: borxh i tepruar, polarizim social, institucione të dobëta, humbje konkurrueshmërie dhe presione të jashtme. Kur këto forca veprojnë së bashku, fuqia e vendit dobësohet dhe shpesh kalon në një fazë dekadence ose krizë ekonomike dhe sociale.
Në këtë kontekst, Shqipëria e ka kaluar këtë fazë. Ajo është disa hapa përpara pas kapërcimit të pasigurisë ekonomike edhe pse kjo nuk mund të konsiderohet plotësisht përfundimtare. Gjeja me positive në Shqipëri është fakti që prej 10 vitesh e më shumë ajo ka arritur një rritje thuajse të qëndrueshme në intervalet nga 3% deri në 5% gjë që ka sjellë një stabilitet zhvillimi.
Edhe pse parashikimet makroekonomike për periudhën afatmesme vazhdojnë të dëshmojnë për një rritje ekonomike mesatare 3-4 %, një inflacion drejt objektivit 3%, një papunësi në rënie dhe financa të stabilizuara duke qënë vend i vogël është shumë e ndjeshme nga ekonomia botërore. Një krizë e madhe botërore do të prekte ndjeshëm edhe Shqipërinë sidomos në politikat shtetërore të zhvillimit.
Pyetja 2: Shqipëria nuk ka një nivel të lartë borxhi publik numerikisht, çfarë duhet të ketë parasysh në këtë drejtim?
Dalio, në këtë intervistë imagjinare, thekson se deri rreth vitit 2014 Shqipëria hyri gradualisht në një zonë të rrezikshme financiarisht, pasi borxhi publik ishte rritur dhe financat e shtetit ishin më të varura nga kreditë ndërkombëtare. Pavarësisht nga madhësia ai e konsideronte atë një “borxh jo-produktiv” pasi nuk shoqërohej dhe përkthehej në një rritje reale ekonomike, punësim, rritje të pagave dhe përmirësim të nivelit të jetesës. Pas vitit 2016 situata ka ndryshuar dukshëm. Borxhi publik ka arritur nivele të kontrollueshme në % të GDP dhe ekonomia vazhdon një rritje si pasojë e turizmit, ndërtimit dhe shërbimeve, të ardhurat për frymë janë rritur konsiderueshëm.
Pyetje 3: Cilat janë sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare dhe si mund të kapërcehen ato?
Dalio do të thonte, se ekonomia shqiptare po përballet me atë që ekspertët e quajnë një “rënie të heshtur të konkurrueshmërisë”. Për dekadën e fundit, vendi mbështetej kryesisht në fasoneri, sektor që ka regjistruar një tkurrje drastike, si dhe në ndërtim dhe bujqësi, të cilat përpara pandemisë jepnin sinjale pozitive.
Nga viti 2020, një rritje e ndjeshme e turizmit ka ndryshuar balancën dhe strukturen mes degëve të ekonomisë. Për pasojë, pas periudhës së pandemisë dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat, si dhe të pagave të administratës publike, u përjetua një rritje e konsumit të brendshëm. Kjo e fundit, megjithëse duket pozitive në pamje të parë, ka goditur konkurrueshmërinë shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe ka krijuar një inflacion nga kostoja që megjithëse relativisht i ulët nuk ka qene e lehte të dominohet. Investimet e huaja u spostuan nga industria dhe bujqësia drejt pasurive të patundshme dhe turizmit, duke tërhequr gjatë kësaj periudhe shumë kapital që do të mungojë për zhvillimin e sektorëve prodhues në të ardhmen.
Zgjidhja, sipas Dalios në intervistën imagjinare, kërkon thellimin e reformave strukturore, veçanërisht në energji, bujqësi dhe industri. Ky proces nuk mund të ketë sukses pa një politikë të qartë për rritjen e inovacionit, produktivitetit, dhe krijimin e bizneseve të reja. Pa këto “leva”, as industria, as bujqësia shqiptare nuk do të jenë konkurruese në arenën ndërkombëtare.
Për më tepër, një këndvështrim i thelluar duhet t’i kushtohet aspektit social: reforma e sistemit të pensioneve dhe lufta kundër informalitetit mbeten prioritete të domosdoshme. Implementimi i këtyre politikave do të forconte edhe aspiratën e Shqipërisë për integrim të plotë në Bashkimin Europian.
Pyetja e katërt: Cilat janë dy problemet më të vështira për t’u korrigjuar në ekonominë shqiptare?
Sipas Dalios, sfida e parë është ajo demografike. Shqipëria dhe gjithë Ballkani po përjetojnë një rënie dramatike të popullsisë, si pasojë e plakjes dhe emigrimit masiv, sidomos të të rinjve. Çdo vit, mijëra të rinj largohen nga vendi në kërkim të një të ardhme më të mirë. Ky është një fenomen me rrënjë të thella ekonomike, politike e sociale, dhe pasojat e tij prekin drejtpërdrejt zhvillimin afatgjatë. “Mungesa e rinisë është si një pemë që i priten rrënjët,” thotë Dalio në intervistën imagjinare. Në një ekonomi të hapur, me lëvizje të lirë të kapitalit dhe njerëzve, sigurimi i fuqisë punëtore qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë vendit kërkon reforma rregullatore më të guximshme, lehtësira dhe mundësi konkrete për zhvillimin e tregut të punës.
Ky boshllëk demografik lidhet ngushtë me një tjetër plagë të thellë: polarizimin social. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po thellohet çdo vit, duke rritur rrezikun e destabilizimit social. Shëmbujt historikë tregojnë se polarizimi ekstrem mund të shkatërrojë kohezionin shoqëror. Dalio thekson se rritja e pagave në administratën publike dhe në sektorin privat, reforma e pensioneve dhe një “përkthim” më efikas i rritjes ekonomike në mirëqenie reale do të ishin hapa vendimtarë për ngushtimin e këtij hendeku, por jo me ligje dhe vendime por me rritje reale të produktivitetit dhe konkurencialitetit.
Një tjetër problem që nuk mund të anashkalohet është besimi i ulët tek institucionet. Sondazhet tregojnë një lëkundje të dukshme të besimit të qytetarëve ndaj partive politike, policisë, gjyqësorit dhe shpesh edhe ndaj vetë organeve të shtetit e pushtetit vendor në drejtësi, megjithëse ka sjellë SPAK-un, me popullaritet të lartë në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe drogës, ende nuk ka arritur të krijojë ndjesinë e drejtësisë në jetën e përditshme të qytetarëve. Rivendosja e kësaj drejtësie funksionale kërkon kohë dhe mbi të gjitha, vullnet të palëkundur politik.
Pyetja e pestë: Me gjithçka që përmendët, po më krijoni një pamje jo shumë optimiste për Shqipërinë dhe shqiptarët?
“Jo aspak. Shqipëria ka shpresë dhe nuk është e humbur,” thotë Dalio në intervistën imagjinare. Sinjalet paralajmëruese si largimi i të rinjve, humbja e konkurrueshmërisë, polarizimi social dhe dobësitë institucionale mund të krijojnë idenë e një vendi pa të ardhme, por në fakt tabloja nuk është fataliste.
Në vizionin e tij, ciklet historike nuk janë të pandalshme: ato mund të kuptohen, të analizohen dhe të ndërpriten me vetëdije dhe vendimmarrje të mençur. Shqipëria, sipas tij, nuk ka asnjë shenjë kolapsi; përkundrazi, ndodhet në një fazë ngritjeje, me ritme rritjeje të qëndrueshme prej vitesh. Megjithatë, çdo vit pa veprim e çon më afër një rënie të heshtur sesa një hap më tej drejt zhvillimit.
Rruga e integrimit dhe progresit ekziston, por kërkon institucione të forta, investim në kapitalin njerëzor, sidomos tek talentet e reja, rritje të besimit tek shteti dhe rikthim të konkurrueshmërisë përmes dijes, teknologjisë dhe inovacionit. “Shqipëria nuk ka nevojë të jetë një superfuqi për të pasur sukses; mjafton të kuptojë ciklin ku ndodhet dhe të mos përsërisë gabimet historike të të tjerëve,” shton Dalio.
Ai e përshkruan vendin në një pikë delikate të ciklit historik: nuk është vonë, por nuk ka më kohë për të humbur. Sfidat janë reale, po ashtu edhe mundësitë për të ndryshuar drejtimin. Kombet që pranojnë realitetin, guxojnë të ndërmarrin reforma dhe ndërtojnë institucione të ndershme, ekonomi produktive e arsim cilësor, mund të shmangin rënien dhe të hyjnë në një cikël të ri zhvillimi.
“Unë besoj se në këtë mandat të ri qeverisjeje, kjo është e arritshme,” përfundon ai.