Përmirësohet situata me zjarret në vend. Shirat e një dite më parë kanë ndihmuar në shuarjet e pjesës së më madhe të vatrave. Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, janë raportuar 28 vatra zjarri, nga ku 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim. Në njësinë administrative Tërnovë, Bashkia Bulqizë, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter duke punuar për izolimin e zjarrit.
Nga ana tjetër në Xeth, Bashkia Fushë-Arrëz, vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.
Në Velë, Bashkia Mirditë, zjarri është vendosur në një sipërfaqe prej 6.5 hekatrë të mbuluar me pisha. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake.
Ndërkohë në monitorim janë vatrat në Malin me Gropa në Bashkinë Bulqizë zjarri zhvillohet në zonë shkëmbore, pa rrezik. Angazhuar 2 forca AdZM dhe 5 vullnetarë.
Vatrat e zjarrit në Zhapokikë dhe Rehovë në Bashkinë e Poliçanit janë nën kontroll nga ndërhyrja e forcave, 2 helikopterëve, ndihmuar edhe nga reshjet e shiut.
Ndërkohë në Velçan Bashkia Berat situata ndodhet nën kontroll pas ndërhyrjes së 25 efektivëve MZSH, 2 helikopterëve dhe favorizuar nga reshjet e shiut.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia.