Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të tjera masa në kuadër të reformës së kontrollit të territorit. Gjatë takimit në kryeqytet me deputetët ekzistues dhe ata kandidatë në zgjedhjet e 11 Majit, së bashku edhe me drejtorë të Bashkisë së Tiranës, kreu I qeverisë bëri të ditur se do të hartohen një sërë aktesh normative për reformën e territorit.
Sipas tij, paketa e reformës së territorit do të zhvillohet përmes dy fazave, ndërsa bëri të ditur se do të ketë rishikim edhe të ligjit të ndërtimit. Ai tha se do të konfiskohen pallatet me kate shtesë.
“Reforma e territorit do të ketë dy faza. Një fazë imediate, ku qeveria do të ndërhyjë në kushtet e kësaj emergjence në një numër aktesh dhe akt normativ me dhe besoj do jetë paralelisht me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe për mbetjet. Do të ketë një fazë të dytë pak më mbrapa, ku do të rishikohen në mënyrë të detajuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin, i cili është një ligj shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet krejtësisht jashtë kohe.
Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme sipas nesh. Së pari kemi diskutuar për të ashtëquajturin proces legalizimi, që është një terminologji abuzive, e përdorur nga individë, subjekte, që për qëllim fitimi fillojnë zaptime të hapësirës publike, apo të pronës së tjetrit dhe pastaj bëjnë deklarimin që i fut si individë në proces legalizimi, ndërkohë që procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në vitin 2020.
E dyta, kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin. Kush hyn në listën e zezë, do të humbasë të drejtën të marrë një leje ndërtimi dhe do të penalizohet në rast se përfshihet në industrinë e ndërtimit për një numër të caktuar vitesh që do të vendoset. Do të marr masat për një kategori ndërtuesish shumë problematikë.
Do të konfiskohen në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ngrehinat e braktisura në Shqipëri që nga vitet ’90.
Kur vjen puna te shkelja me 2% e lejes së ndërtimit, 2% është një përqindje krejtësisht e arsyeshme, që përdoret edhe në vendje të tjera, sepse gjatë realizimit të projektit mund të ketë edhe devijime të natyrës teknike, por kur ky 2% kapërzehet, atëherë kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të gjithë ndërtimit, jo të një pjese. Nuk mund të ketë një paligjshmëri të pjesshme”, tha Rama.