Gjatë vitit të kaluar, shteti ka shpenzuar më pak për rimbursimin e barnave mjekësore. Sipas Raportit Vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), krahasuar me vitin 2023, shpenzimet e rimbursimit janë ulur me 223.9 milion lekë dhe kjo për shkak se vlera mesatare e recetës është ulur me 135 lekë më pak, ndërsa vlera e rimbursimit për pacient është ulur me 595 lekë.
Krahasuar me vitin 2023, ulja e shpenzimeve të rimbursimit ka ardhur për shkak se grupet me ndikim të lartë financiar kanë pasur ulje të vlerës së rimbursimit. Pra, në 2024 kishim një ulje të shpenzimeve për rimbursimin e ilaçeve, për arsye se disa lloje ilaçesh kanë kushtuar më pak. Janë dhënë më shumë barna, por me kosto më të ulët për shtetin. Kjo shpjegon uljen e shpenzimeve të shtetit për rimbursim dhe rritjen me 109,098 receta më shumë.
Barnat e sëmundjeve kronike, të pensionistëve pa afat dhe fishat e diabetit kanë pasur një kosto më të ulët dhe kanë kontribuar më shumë në uljen e shpenzimeve. Në vitin që lamë pas ka pasur një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve të rimbursimit për grupin e barnave spitalore, të cilat zënë rreth 31% të shpenzimeve totale të rimbursimit.
Në total, shpenzimet e shtetit (përfshirë shpenzimet e spitaleve publike) arritën në vlerën 58.8 miliardë lekë nga 59.7 miliardë lekë që ishte planifikuar, pra 950 milionë lekë më pak. Nga 58.8 miliardë lekë, rreth 11.8 miliardë kanë shkuar për rimbursimin e barnave.
Në strukturën e shpenzimeve faktike, peshën specifike më të madhe e zënë shpenzimet e shërbimit spitalor me 56.8%, ndjekur nga shpenzimet e kujdesit parësor (financimi i QSH e kontrolli mjekësor bazë) me 21.1%, shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve me 20.3%, shpenzimet administrative (pagat e shpërblimet, sigurimet shoqërore-shëndetësore, mallra e shërbime) me 1.8 % dhe së fundi investimet me një peshë jo të konsiderueshme.