Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj ka analizuar në podacastin “Money Hour” të Fast News Economy premtimet e partive politike në këtë fushatë zgjedhore. Ai ka deklaruar se pensionistët sot paguajnë shumë më shtrenjtë për ilaçet, pasi skema është deformuar nga sistemi i bonuseve për këtë kategori.
“Pensionistët duhet të paguajnë më shumë për të kompensuar ilaçe me demek që vijnë të reja, të tilla që janë për të mirën e tyre, por janë me një çikë lek më shumë. Ka jo më shëndetësi falas, por për pensionistët janë shtuar kostot, pasi mënyra sesi kanë reformuar atë pjesën e rimburismit të ilaçeve, në vend që të ulnin koston, ua dhanë bonusin dhe po paguajnë më shumë sesa iu dhanë bonus për ilaçe të ndryshme, që tashmë janë bërë pjesë e skemës. Pra, unë nuk e di sesi mund të ndihen ata, por të paktën ata që unë njoh, iu është rritur kostoja”, ka deklaruar Gjokutaj.

Pyetjes së përse ka ndodhur kjo situatë, eksperti i ekonomisë i është përgjigjur:
“Ka ndodhur për arsyen e thjeshtë sepse në vend të vinin vetulla nxorrën sytë në aspektin e reformës dhe kemi të bëjmë me oligarkë”, ka thënë Gjokutaj.
Eksperti ka analizuar gjithashtu, edhe rritjen e ekonomisë informale në vend, si pasojë e shtimit të parasë cash në qarkullim, nga burime si evazioni fiskal, korrupsioni apo aktivitetet e paligjshme. Kjo ka ndodhur në një kohë kur qeveria ka deklaruar se po lufton informalitetin.
“4.3 miliardë euro janë në qarkullim para cash, që është sa një e treta e të gjithë parasë në Shqipëri. Rritjen e parasë cash në qarkullim me 10% nga viti i kaluar, lajm i frikshëm. Nga llogaritjet që kemi bërë bazuar në përvojat e botës, 10% rritje do me thënë 2-3% më shumë informalitet, pasi kjo para cash vete tek ekonomia informale, një pjesë e madhe dhe ajo e mban. Dhe në këtë mënyrë, mosluftimi i tij dhe mbajtja e kësaj, jo vetëm që nuk është ulur informaliteti me këtë para cash, por është rritur”, ka shpjeguar GJokutaj.
Në podcastin “Money Hour” trajtohen me të ftuar çështje të aktualitetit, që kanë interes për të gjithë grupmoshat e shoqërisë.