Hollywood është sërish në qendër të debatit ndërkombëtar, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së, një lëvizje që ka shkaktuar valë tronditëse në industrinë globale të kinematografisë.
Trump deklaroi se do të autorizojë Departamentin e Tregtisë për të nisur procedurat e vendosjes së kësaj takse, duke argumentuar se industria amerikane e filmit është duke përjetuar një “vdekje shumë të shpejtë”. Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, ai u shfaq më i moderuar, duke thënë se do të takohej me drejtues të industrisë për të siguruar që ata “të jenë të kënaqur” me propozimin.
Prej vitesh, prodhuesit e filmave amerikanë kanë zgjedhur vende si Britania dhe Kanadaja për të ulur kostot, ndërsa tarifa e re shihet nga disa si një kërcënim serioz. Një sindikatë ndërkombëtare e filmave e cilësoi këtë plan si “goditje fatale” për industrinë jashtë SHBA-së.
Në një postim në Truth Social, Trump theksoi: “Dëshirojmë që filmat të prodhohen në Amerikë, sërish!”, duke e lidhur këtë nismë jo vetëm me ekonominë, por edhe me “mesazhin dhe propagandën” që, sipas tij, duhet të jetë amerikane.
Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Nuk dihet ende nëse tarifa do të përfshijë prodhuesit amerikanë që xhirojnë jashtë vendit apo nëse do të aplikojë edhe për filmat në platformat e transmetimit si Netflix. Ende nuk është e qartë as se si do të përkufizohet një film amerikan, është burimi i financimit, regjisori, skenari, apo vendndodhja e xhirimit që e bën një film “Made in USA”?
Timothy Richards, themelues i zinxhirit të kinemave europiane Vue, tha për BBC: “Kostot e xhirimeve në Kaliforni Jugore janë rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, ndërkohë që vende si Britania kanë ofruar stimuj fiskalë dhe ekipe produksioni shumë të kualifikuara.”
Sindikatat britanike dhe qeveria në Londër janë vënë në lëvizje për të mbrojtur industrinë që është ende në rikuperim pas pandemisë dhe sfidave të fundit. Philippa Childs, drejtuese e sindikatës mediatike Bectu, paralajmëroi se tarifat mund të kenë pasoja dramatike për dhjetëra mijëra punonjës të pavarur.
Nga ana tjetër, vendet që kanë përfituar nga zhvendosja e industrisë filmike, si Australia dhe Zelanda e Re, janë në pritje të mëtejshme të detajeve, duke theksuar se do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre.
Hollywood mbetet ende një qendër kryesore e prodhimit filmik global, me shpenzime prej mbi 14 miliardë dollarë vitin e kaluar, megjithëse kjo shifër ka rënë me 26% krahasuar me 2022-in. Kritikët e industrisë paralajmërojnë se tarifat mund të shkaktojnë më shumë dëme sesa përfitime, duke nxitur vende të tjera që të vendosin tarifa kundër filmave amerikanë dhe duke e bërë edhe më të vështirë realizimin e fitimeve jashtë SHBA-së.
Qeveria amerikane ka theksuar se ende nuk ka marrë vendime përfundimtare, por është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe ekonomike, gjithnjë me synimin e madh të Trump: “Ta bëjmë Hollywood-in ‘‘GREAT’’ sërish!”/ BBC