Nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Shqipëria garuan mes njëri-tjetrit në fazën finale të konkursit kombëtar të Gjuhës Shqipe, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS). Ky konkurs është një nismë e rëndësishme që synon të promovojë dhe forcojë përdorimin korrekt të gjuhës shqipe ndër nxënësit e klasave të nënta, në arsimin parauniversitar.
One Albania është përfshirë në mënyrë aktive në promovimin e nismës dhe festimin e arritjeve të këtyre kampionëve të rinj të gjuhës. Si pjesë e angazhimit të saj për ruajtjen dhe rritjen e kulturës dhe identitetit shqiptar, kompania ka mbështetur këtë konkurs, duke ofruar tabletë për të dy skuadrat finaliste. Ky ishte edhe një inkurajim që ata të ruajnë gjuhën amtare në mënyrë të saktë dhe të ndërgjegjshme në një epokë të dominuar nga teknologjia dhe komunikimi digjital.
Skuadrat fituese të shkollave të dala nga fazat e mërpashme të konkursit u përballen me shumë emocione, duke treguar njohuritë e tyre gjuhësore dhe aftësitë komunikuese, në garën me temë “Gjuha Shqipe dhe Komunikimi Qytetar në Epokën Digjitale”. Në një finale plot emocione dhe konkurrencë të fortë u përballën shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra dhe shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan, nga ku fitues u shpallën nxënësit dibranë.
Konkursi përfshiu një sërë aktivitetesh si kuize, recitime, projekte inovative dhe pyetje të shpejta, duke vlerësuar njohuritë dhe aftësitë gjuhësore të nxënësve.
Ky ishte edicioni i tretë i Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe që zhvillohet me nxënësit e klasave të nënta në mbarë vendin, ku në total morën pjesë mbi 11,000 nxënës nga 700 shkolla publike dhe private në mbarë vendin.
Përballja finale u kthye në një festë të bukur të gjuhës shqipe, e cila luan një rol vendimtar në formimin e një themeli të fortë kulturor për të ardhmen e vendit.