Termi mompreneur përbëhet nga dy termat në anglisht mom dhe entrepreneur dhe u referohet nënave që vetëpunësohen; pra nisin një sipërmarrje, qoftë sado modeste në infrastrukturë biznesi dhe të ardhura, ndërsa kujdesen për fëmijët e tyre. Termi u prezantua dhe nisi të përdorej për herë të parë në vitin e largët 1994. Në ekonominë e sotme globale, e cila bëhet gjithnjë e më shumë digjitale, ku puna nga distanca është normalitet dhe teknologjia është në zhvillim, mompreneurship duket të jetë një alternativë e vërtetë përkundrejt punësimit tradicional.
Organizim dhe menaxhim i mirë i kohës, burimeve dhe punës ashtu sikundër brenda mureve të një shtëpie, optimizëm kokëfortë, vendosmëri absolute dhe një ide biznesi që i përafrohet jetës së përditshme, për të cilën keni përgatitjen, njohuritë dhe përvojën e duhur janë elementët e nevojshëm që mund të çojnë drejt fillimit të një biznesi çdo nënë të re.
Pse gjithnjë e më shumë nëna shqiptare po zgjedhin sipërmarrjen?
Shumë nëna që duan të kthehen në punë pas pushimit të lehonisë nuk gjejnë mundësi të kënaqshme, që t’i lejojnë ato të kenë atë balancën e nevojshme dhe aq shumë të kërkuar mes punës dhe familjes. Shpesh ato nuk ia dalin të reduktojnë orët e tyre të punës në kohë të pjesshme në punën e tyre të vjetër. Ndonjëherë është e vështirë të sinkronizet orari i caktuar i punës me orarin e çerdhes.
Shumë nëna (në mos të gjitha) do të donin të kalonin më shumë kohë me fëmijët e tyre – por nga ana tjetër ato nuk duan ose nuk mund të jenë thjesht ‘’një shtëpiake’’. Disa sipërmarrëse nëna mund të kenë ëndërruar gjithmonë që një ditë të fillojnë biznesin e tyre dhe koha e lejës prindërore duket se më në fund u jep atyre mundësinë për ta menduar e vizualizuar më mirë idenë e tyre dhe hedhur hapat e parë në këtë drejtim.
Ka shumë arsye pse nënat mund të dëshirojnë të bëhen të vetëpunësuara. Edhe nëse po mendoni të filloni biznesin tuaj sepse nuk keni mundësi të tjera, kini parasysh se ky hap mund të hapë shtigje të reja emocionuese në jetën tuaj: modelet e shkëlqyera dhe përmbushëse të biznesit shpesh zhvillohen nga nevoja! Por vetëpunësimi nuk është zgjidhje për çdo nënë. Shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë fare këtë,sepse gjithçka mbart një rrëzik financiar të dukshëm.
Në vendin tonë, shumë gra shqiptare përballen çdo ditë me sfidën e zgjedhjes mes karrierës dhe familjes. Megjithatë, me rritjen e mundësive në tregun digjital, e-commerce dhe shërbimet freelance, nëna të shumta po gjejnë alternativa fleksibile që u lejojnë të punojnë nga shtëpia, të menaxhojnë oraret sipas nevojave të fëmijëve dhe të krijojnë burime të qëndrueshme të ardhurash./Business Mag