Një dokumentar i ri hedh dritë mbi një projekt të jashtëzakonshëm që rikrijon Titanikun në përmasa reale përmes skanimeve të avancuara nënujore, duke sfiduar bindjet e vjetra dhe ruajtur historinë në detaje të pabesueshme.
Titaniku, anija që simbolizon njëkohësisht madhështinë dhe tragjedinë njerëzore, “ringjallet” pas 113 vitesh, këtë herë në formën e një modeli dixhital ultra të detajuar që i ka habitur edhe ekspertët më skeptikë.
Dokumentari “Titanic, The Digital Resurrection”, prodhim i National Geographic, tregon për herë të parë sesi kompania e skanimeve të thellësive detare Magellan ka krijuar modelin më të saktë ndonjëherë të anijes së famshme, një “binjak dixhital” në përmasa reale, i saktë deri në detaje si vida apo pllakat metalike.
Një udhëtim virtual drejt fundin historik
Duke përdorur teknologji 3D të nivelit të lartë, studiuesit kanë arritur të “ngrinë në kohë” mbetjet e anijes në gjendjen që ishin në vitin 2022. Kjo jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm, por edhe sjell zbulime që mund të ndryshojnë mënyrën se si e kemi kuptuar katastrofën e vitit 1912.
Në dokumentar, ekspertë si analisti i Titanikut Parks Stephenson, metalurgia Jennifer Hooper dhe oficer detar Chris Hearn eksplorojnë një rikonstruksion të plotë të anijes dhe theksojnë detaje që deri më tani kishin qenë të fshehura.
Zbulime që ndryshojnë narrativën historike
Një prej detajeve më prekëse është një valvul avulli e hapur, që përforcon dëshmitë se inxhinierët qëndruan në vendet e tyre në dhomën e dytë të kazanëve për më shumë se dy orë pas përplasjes me ajsbergun, duke mbajtur furnizimin me energji dhe duke mundësuar dërgimin e sinjaleve SOS. Mendohet se 35 prej tyre flijuan jetën për të shpëtuar qindra të tjerë.
Po ashtu, përmes analizës së fragmentëve të trupit të anijes të shpërndarë në fundin e oqeanit, studiuesit arrijnë në përfundimin se Titaniku nuk u nda në dy pjesë, siç është besuar për dekada, por u nda në mënyrë brutale, duke përfshirë edhe kabinat luksoze ku ishin vendosur pasagjerë të shquar si J.J. Astor dhe Benjamin Guggenheim.
‘‘Rehabilitimi’’ i figurave të kontestuara
Skanimi ndihmon gjithashtu në ‘‘rehabilitimin’’ e emrit të Oficerit të Parë Ëilliam Murdoch, i cili për vite është akuzuar për braktisjen e detyrës. Pozicioni i pajisjeve të shpëtimit tregon se ai ndodhej ende në bord duke përgatitur lëshimin e varkave kur u përfshi nga dallgët.
Ruajtje dixhitale për një trashëgimi të përjetshme
Megjithëse pjesë të anijes po shkatërrohen me kalimin e kohës, modeli dixhital i krijuar nga Magellan do të ruajë pamjen e Titanikut “ashtu siç ishte në vitin 2022”, duke i dhënë kështu historisë një mjet të ri të fuqishëm për kërkim dhe edukim.
Ky projekt shënon një kapitull të ri në arkeologjinë nënujore, ku teknologjia nuk shërben vetëm për të zbuluar të kaluarën, por edhe për ta mbrojtur atë nga harresa./ CNN